Drejtori i klubit të Teutës Artan Shyti propozon që kampionati të rinisë si dhe përpara të çdo ndeshje të vendosen tamponë për lojtarët dhe stafin teknik. Zyrtari i klubit durrsak mendon se kjo është mënyra më e mirë për të rinisur kampionatin, ndërsa kërkoi që kostoja e tamponeve testuese për koronavirusin të mbulohet nga qeveria ose FSHF-ja.
“Ka një shprehje që unë e pëlqej shumë: Sporti është gjëja më e rëndësishme ndër gjërat më të parëndësishme. Atëherë, nëse të gjitha gjërat e rëndësishme i vendosim në vijë, duhet të nisim edhe futbollin që vjen i pari. Unë do të jap një variant që përpara çdo ndeshjeje të testohen të gjithë lojtarët, trajnerët, arbitrat dhe ata djemtë që kapin topat. Ato 10 ndeshje mund të bëhen në këto kushte dhe në fund ne do të kemi aktivitet mes njerëzve të shëndetëshëm.
Kostoja e këtyre testimeve mund të mbahet nga FSHF-ja ose nga qeveria. Në vend që të kërkojmë para për të paguar lojtarët, të kërkojnë para për të blerë tampona për testime. Në këtë mënyrë, e dimë që ata që janë në fushë nuk janë të infektuar. Kjo mund zgjidhja më e mirë për këto dy muaj futboll që kanë ngelur”,deklaroi drejtori i klubit të Teutës Artan Shyti.





