Vasil Shkurtaj, një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar, prej tre javësh ndodhet i izoluar në Barcelonë për shkak të masave ekstreme kundër koronavirusit. Ironia e fatit bëri që bomberi i Kukësit të ndodhej në momentin e gabuar në Spanjë për të bërë një fizioterapi të specializuar, në mënyrë që të riaftësohej sa më shpejt pas dëmtimit.

Mirëpo, tashmë qëndron i bllokuar në një hotel në Barcelonë, derisa t’i mundësohet kthimi në Shqipëri pasi të hapen kufinjtë dhe të rinisin punën linjat ajrore.

Në kushte izolimi, autori i 16 golave është bërë edhe pak… fantazist. Ai ka publikuar një video në profilin e tij në “Facebook”, ku 10 lojtarë shfaqen duke xhongluar topin.

Përveç Shkurtajt janë nga Kukësi edhe emra si Emiljano Musta, Kristal Abazaj, Olsi Teqja, Bruno Lulaj, Eduard Rroca dhe kapiteni Besar Musolli. Tirana përfaqësohet në këtë video nga Kristi Vangjeli, Teuta me Aleksandër Kuron, Skënderbeu me Jorgo Pëllumbin, si dhe Laçi me Donald Rapon.

Mesa duket, Shkurtaj ka zgjedhur për të dhënë një mesazh pikërisht miqtë e tij në pesë skuadra, përfshi Kukësin. “Futbolli është jeta jon. Durim! Qëndroni në shtëpi”, shkruante Shkurtaj, duke dhënë një mesazh fantastik në këtë moment delikat që po kalon vendi.