Nga Artur Zheji
Është pothuajse e padyshimtë, që ky Rama, do të na plaket përpara syve, gjithmonë në pushtet dhe gjithmonë me shumë pushtet, rrethuar me ca ministra yzmeqarë, grabitqarë, servilë dhe pa nivel, por të dobishëm për pushtetmbajtjen e tij, gjithmonë e më absolut.
Koronavirusi, në të vërtetë, nxorri bojën dhe pisllëkun e thellë, një pjese të madhe të klasës politike botërore, ku sharlatanë dhe kllounë me aftësi mizerabël, rrinë mbi ujin e shoqërisë njerëzore, duke e komanduar, ashtu si notojnë kakërdhitë, sepse janë më të lehta dhe krejt boshe…
Dhe “bomba” e këtij virusi, ndau si me thikë dhe prerazi vendet serioze nga vendet karagjoze. Shtetet dhe kombet me një klasë politike jo teatrale, e kanë seriozisht situatën e popujve të tyre nën kontroll dhe në krye të kësaj liste qëndron Koreja, Japonia dhe Gjermania…
Por gjithsesi, është shpejt të bëjmë një analizë fundore dhe shteruese të këtij algoritmi të ngatërruar të Pandemisë Globale, e cila është njëkohësisht, aq sa reale, aq edhe surreale.
Pa kuptuar në vitin 2020, kemi hyrë me të vërtetë, në mijëvjeçarin e ri, ku, me ose pa dashje po themelohen, në padijenine tonë të plotë, kode të reja dhe rregulla mirëfilli të ndryshme, të një Qytetërimi të Ri.
Në Shqipërinë e ambasadorëve, që bëjnë si guvernatorë, në Shqipërinë që rendi idiotësisht pas retorikës së Peshqve të mëdhenj, të pseudo reformës në drejtësi, “Korona Time”, është dhe “Gold Time”, e trafikantëve të të gjitha llojeve dhe të të gjitha mallrave.
Drejtësia e pritshme është krejt e bllokuar dhe Rregjimi i Kryeministrit, nëse dje, edhe diskutohej, sot ka dalë krejtësisht nga Ditari i Debatit dhe është pra sot, 100 herë më shumë se dje, një Rregjim fuqiplotë, me një popull të varfër dhe të trembur për vdekje dhe me një agoni ekonomike që do të trokasë e frikshme…
Me një Opozitë në karantinë, sot të justifikueshme dhe me “popullin” e bythëmëdhenjve të pasanikëve, që kanë dhjamë për të tretur në izolimin e gjatë, në shtëpitë e tyre të dyta, të treta apo të katërta…
Në një periudhë të tillë, të luftës së përditshme, reale apo imagjinare, porse të perceptuar dhe të ndjerë në 100% të ankthit egzistencial, Pushteti, në Shqipëri dhe jo vetëm, bëhet gjithmonë e më Bardh e Zi, gjithmonë e më shtypës dhe errësirë të plotë.
Ku, nga njëra anë kemi, një Grup politiko-pasunar që shtyp dhe jep spektakël dhe një turmë e madhe, gjithmonë e më e madhe dhe pa identitet, që “gëzon” e nënshtruar, atë jetë të pacilësishme dhe thjesht biologjike, që i mbetet për të rrojtur.
Po sa para bën sot kjo analizë?! Bota dhe Shqipëria, kanë nevojë për veprim, inteligjencë, dashuri njerëzore dhe zgjidhje.
Për zgjidhje sa më të padhimbshme. Porse mjerisht mendoj, se Dhimbja në Shipëri, sapo ka filluar, ndonëse jemi mësuar masivisht me mjerimin dhe jetën e keqe…
Në këtë kornizë, nuk do të habitesha, nëse ky Koronavirus, do ta kurorëzonte këtë kryeministër edhe për “X” mandate, sepse pritet të jetojmë në një Errësirë të Re, me kërkesa mendore, shpirtërore minimaliste.
Me trurin dhe zemrën, që na dallon nga kafsha, gjithmonë e më jashtë loje.
Do mendojmë sot, nesër e pasnesër, me mushkëri dhe me plënc, sepse Koronavirusi, na duall, aleati më i mirë i Diktatorëve.
Mjerisht edhe në shumë vende të Botës së sotme…/ 360grade.al