Nga BUJAR QESJA

As nuk mund të mendohej, se në një ditë të fundit të vjeshtës së dytë 2008 Abdulla Duma, pa dyshim nga futbollistët më popullorë në Durrës do të ndahej nga jeta, për të lënë në memorien atyre që e njohën kujtimet më mbreslënëse dhe të paharruara. Ishte 18 tetori i vitit 2008 ku frymëmarrja e tij mbaroi, për të mbetur gjithnjë i gjallë dhe i pa humbur në kujtimet e miqve, shokëve, familjes dhe të afërve. Kthehet kështu, në arkivë e gjallë e historisë së futbollit.

Një burrë simpatik, me trup të bëshëm, elegant e bukurosh si në rininë e tij, lëvizte çdo ditë në rrugët e qytetit të lindjes. Me vete kishte gjithnjë “shokun” e pandarë të jetës, biçikletën tip robusto dhe përshëndeste me buzëqeshje një popull të tërë. Ishte pikërisht ky popull, që e duartrokiste në çdo ndeshje. Dhe kjo jo vetëm në Durrës, por edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Dhe gjithnjë shpaloste vetitë më të mira sportive, talentin e spikatur, sedrën dhe karakterin e veçantë. Mbeti frymëzim për shokët, teksa i nxiste dhe i mobilizonte për rezultate pozitive. Dhe kështu mbeti deri në largimin nga futbolli: kapiteni i ëmbël dhe i dashur i ekipit të “Lokomotivës”.

Djali i lagjes së famshme “Sefer Efendiu”

Durrsakët e kanë për zemër, sa herë t’ua përmëndësh rrugicën në formën e një lagjeje të tërë “Sefer Efendiu”.Nuk është vetëm patriotizmi i skajshëm i këtij burri të mënçur, që e mban gjallë nostalgjinë e kësaj rruge, por edhe vendlindja dhe vendbanimi i shumë sportistëve të njohur të qytetit me tradita të pasura.

Këtu jetonte Rifat (Ruf) Kazazi i madh i atletikës. Kësaj lagjeje të famshme i takon edhe vendlindja e gjigandit të futbollit Panajot Pano. Këtu lindi dhe jetoi për shumë kohë, historiku i shahut shqiptar Fatos Muça. Nga kapitujt e artë të gjykimeve të topkëmbës Shazivar Gruda. Notarët me emër që kanë marrë dhenë si vëllëzerit Kapexhiu, Burhan Truma, mjeshtri i shquar i ujit Mirban Kadiu, Qemal Mara, Arben Rrogozhina, Agron Kollaku etj. Poliglotia dhe polisportistja e jashtëzakonshme Bernardina Qerraxhia, këtu banonte. Po kështu edhe basketbollisti Ibrahim Kurtbegovi. Dhe “Mjeshtri i Madh” i çiklizmit Dashamir Rama, kaloi pjesë të jetës në lagjen aq të dashur për durrsakët. Madhështori i boksit Hysen Sharra, seferefenias ishte.

Pikërisht këtu lindi, u rrit e jetoi plot 73 vite edhe “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, futbollisti i paharruar Abdulla (Dul) Duma. Kudo që luajti dhe kudo që shkoi, jashtë dhe brenda Atdheut, asnjëherë nuk harroi të quhej dhe të pohojë me zë të lartë: është djali i lagjes së thjeshtë por të famshme “Sefer Efendiu”.

Leksionet e para nga tradita

“Arra e Myshketës” dhe balta, mbaheshin si fushat e improvizuara të futbollit në Durrës. Duli tërë ditën, e kalonte duke vallëzuar mbi top. Pjekuria e parakohshme dhe talenti i lindur i djaloshit, e detyruan trajnerin Faik Dervishi dhe më pas Tom Gjirin, ta përfshinin në ekipin e të rriturve.

Për 16 vite (1952-1968) Abdulla Duma, nuk do t’i mungonte qoftë edhe një ditë të vetme, apelit të madh të futbollit. Ndryshoi tri breza futbollistësh nga Raq Manushi, Taq Murati, Banush Pasha, Mersin Sijoni, Mustafa Hajdari, Thoma Thimjo, Tat Borshi, tek Nysret Shyti, Shyqyri Hasa, Met Myshku, Zyhdi Daja, Omir Topçiu, Abdulla Gavoçi, duke e përfunduar me të njohurit e tjerë si Nazmi Maxhuni, Petraq Ikonomi, Nderim Hoxha, Muharrem Kadiu, Niko Bespalla, Orest Grami, Maksut Leshteni, Feti Golashi, Mustafa Saraçi etj.

Jo pak do të respektohej edhe nga futbollistë të tillë me emër, e të një brezi shumë më të ri si Haxhi Ballgjini, Filiari, Hima, Kapidani, Likmeta, Jani, Çela, Miho, B. Koka etj. Duli do t’i kujtonte gjithnjë me mall, traditat e vyera të futbollit durrsak, që nxitën tek ai, frymëzimin dhe mbështetjen kryesore të ecurisë sportive.

Për shokët e vjetër, të brezit të mesëm dhe më të rinjtë, Duli ruajti mallin e pashuar, kujtimet më të bukura, çastet më mbreslënëse dhe emocionuese deri në fund të jetës. Kariera sportive, është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në anketën e organizuar nga gazeta “Teuta Sport”, Abdulla Duma është përfshirë në 11-shin më të mirë historik të futbollit durrsak.

Kombëtarja dhe “Dinamo” pjesë e historisëPër të matur talentin dhe nivelin cilësor të futbollistit Abdulla Duma, angazhimi si titullar në ekipin përfaqësues të Shqipërisë, është përligjia më domethënëse. Ndaj një “Partizani” dhe “Dinamoje” që bënin ligjin në futbollin shqiptar, veçanërisht në periudhën 1955-1960, zor se mund të kishte shanse ndonjë futbollist ardhur nga qytete të tjera, të aktivizohej me ekipin përfaqësues.

Abdulla Duma me sigurinë e cilësive të afirmuara, luajti disa ndeshje si titullar, krahas korifejve të shquar të topkëmbës shqiptare. Nga arkiva ilustrojmë vetëm dy momente. Ofrojmë dy formacione, pasi komentet pas kësaj janë të tepërta. Janë dy përbërje magjike, me futbollistë të papërsëritshëm.

Me 1 maj 1958 kombëtarja shqiptare, luan në “Qemal Stafa” me përfaqësuesen e RDGJ-së. Ndeshja përfundon 1-1. Formacioni përbëhej nga këta futbollistë: Maliqati, Deliallisi, Fagu, Halluni, Ndini, Merja, Kraja, Duma, Jareci, Resmja, Deda. Trajner: Loro Boriçi.

Momenti i dytë është formacioni i “Dinamos” kampione të vitit 1960, ku durrsaku Abdulla Duma ishte titullar i palëkundur i saj. Fotoja që botojmë është pikërisht ajo “Dinamo” kampione me 15 fitore, 2 barazime, 1 humbje, me golavarazh 44 – 9. Stavri Lubonja shpallej shënuesi më i mirë me 11 gola. Përbërje ishte: Jareci, Qoshja, Lubonja, S. Gjoci, Halili, Halluni, H. Verria, Duma, Bushati, Tallushi, Duro. Trajner: Z. Konçi.

Duma krahas kësaj, ishte i preferuari i klubeve të Tiranës dhe “Vllaznisë”, kur luanin takime ndërkombëtare. “Dinamo” e Abdulla Dumës, është kampione kombëtare në vitet 1955, 56 dhe 1960. “Dyshja dinamovite Hysen Verria – Abdulla Duma, pohon specialisti i njohur Petraq Ikonomi, ishte nga më të mirat në mos më e mira në futbollin shqiptar të periudhës 1955-1960. Dhe në se memoria nuk më është dobësuar, Duli është edhe zëvëndësues i Loro Boriçit, në përfaqësuese pas largimit të tij”.

I mbetet përjetësisht futbollit të vendlindjes

Pjesë të shkrimit kushtuar figurës brilante të futbollistit të shquar Abdulla Duma, kërkojnë të bëhen mjaft emra të futbollit durrsak. Edhe ata me kontribute pikante.

Sipas rrëfimeve të Petraq Ikonomit, i cili të tregon një foto të 24 qershorit të vitit 1961, ku “Lokomotiva” e Durrësit, pas fitores 3-0 me “Korabin” e Peshkopisë rikthehet në kategorinë e parë, është meritë e Abdulla Dumës. Ardhja nga “Dinamo”, rigjallëroi futbollin e qytetit të lindjes.

Mbetet nga të vetmit futbollistë, që u largua nga klubet e kryeqytetit me një formë sportive pikante, për t’i shërbyer futbollit të rrënuar të Durrësit. E kujtimet janë të pashlyeshme, sepse e tillë e pashlyeshme është edhe rruga sportive, e djalit të mirë e të përkushtuar durrsak Abdulla Duma.

-Jo vetëm që futbolli i qytetit me tradita, rifutet në kategorinë e parë, kujton i mirnjohuri Nazmi Maxhuni, por organizohet dhe për pak sa nuk fiton titullin kampion në vitin 1965. Çfarë emrash? Çfarë formacioni historik? Ciko, Maxhuni,Ikonomi, Kadiu, Duma, Hoxha, Bespalla, Saraçi, Grami, Leshteni dhe Golashi. Trajner: Tom Gjiri.

Të gjithë mblidheshin rreth kapitenit të skuadrës sonë Abdulla Duma. Ishte siguria, karakteri, pika e referimit e çdo gjëje pozitive që ndodhte tek “Lokomotiva”. Dhe më pas Duma, do t’i bëhej krah Boriçit kur vjen të drejtoj futbollin durrsak në vitin 1966, për t’ia dorëzuar fanelën një tjetër emri të njohur, qendërmbrojtësit të ekipit përfaqësues Safet Berisha.

Më pas bashkëpunon me Refik Resmen, për të mirën e futbollit durrsak, së cilës iu përkushtua deri në ditën e fundit të jetës. Abdulla Duma, mbetet nga arritjet më të ndjeshme të futbollit në Durrës, figurë qendrore e tij.

Durrsakët do t’i mbeten përjetë mirënjohës birit të tyre, për atë çka bëri dhe çka dha për futbollin e vendlindjes. Historia e fubollistit Abdulla Duma, është historia nga më tërheqëset e futbollit të “Lokomotivës”. Dhe në fakt Duli, u kthye në lokomotivë, duke tërhequr vagonat vite që përbëjnë biografinë e futbollit.

Durrës: 17 nëntor 2022