Agim Faja vazhdon të jetë emblema e Shijakut, edhe tani që kanë kaluar 8 vjet nga vdekja e tij.
Nesër në ciklin “Dialog me ngjyra” që organizohet nga Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës, mjeshtri Agim Faja do të përkujtohet në 86-vjetorin e lindjes.

Shkrimi i mëposhtëm i publikuar në vitin 2011 është një tjetër homazh për njeriun, piktorin dhe historianin e Shijakut.

Nga Gëzim Kabashi (viti 2011)

Në studion e vogël të Mjeshtrit të Madh
Emri i piktorit Agim Faja është i lidhur shumë ngushtë me Shijakun, qytetin ku lindi dhe ku vazhdon të jetojë edhe tani që i ka kaluar të 70-tat.
Edhe shtëpia e tij mjaft e thjeshtë, ndodhet vetëm pak metra larg qendrës së zhurmshme, në një nga rrugët e ngushta që shkojnë drejt periferisë.
I mësuar me njerëzit, Agim Faja nuk është nga ata artistë që kërkojnë vetminë për të pritur “muzën krijuese”.

Në studion e vogël në hyrje të oborrit ka vazhdimisht njerëz dhe ai ka për të gjithë nga një muhabet të veçantë e shumë të këndshëm.
Në tavolinë dallohen dhjetra fletë të bardha, të mbushura me një shkrim të bukur e të rregullt, sikur të ishin përgatitur në një shtypshkronjë të specializuar.

Ilustruesi i “Abetares”
E pyes për “Abetaren”, librin e parë të fëmijëve shqiptarë, ilustrimet e të cilit për 15 vjet me radhë kanë mbajtur firmën e Agim Fajes.
“Ka qenë viti 1976 dhe drejtuesit kishin vendosur që “Abetarja” të punohej nga katër piktorë – tregon. U thashë edhe kolegëve se një gjë e tillë nuk kishte kuptim, megjithatë bocat për pjesën që më ngarkuan i realizova”.
Pas kësaj gjithçka që lidhej me ilustrimet e lanë në dorën e piktorit shijakas.
“Kam parë me dhjetra abetare të vendeve të tjera, duke filluar nga ato të Republikave Sovjetike e deri te Franca e Amerika”.

Gjeta diku edhe shprehjen e shkrimtarit të madh rus Tolstoi: “Vepra ime më e mirë është Abetarja”.
“Nuk ishte detyrë e lehtë-vijon mjeshtri Faja. Dua të kujtoj se abetaret e para, pas vitit 1945 në vendin tonë ishin ilustruar nga Abdurrahim Buza dhe Qamil Guranjaku”.
Agim Faja sjell ndërmend bisedat e gjata me prof. Kolë Xhumarin, autorin e teksteve të Abetares, e cila u shërbeu vogëlushëve dhe mësuesve të tyre deri në vitin 1991.

Ilustrimet janë një nga pikat e forta të Piktorit të Merituar Agim Faja. Ka filluar të bashkëpunojë me autorë të ndryshëm në vitin 1959. Sapo ishte diplomuar në Liceun “Jordan Misja” të Tiranës kur u bë bashkëautori figurativ i shkrimtarit Vehbi Bala në librin “Një përrallë e vërtetë”.
Më pas një përkthim i Majakovskit dhe në vitin 1962 ilustron librin për fëmijë të Gjergj Vlashit “Përse gomari i ka veshët e gjatë”.

Në vitin 1966 Agim Faja merr përsipër të ilustrojë “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, një nga librat që vazhdon të ndezë imagjinatën e fëmijëve shqiptarë me legjendat e Mujit e Halilit, me zanat dhe orët e malit.
“Në fillim përgatita vetëm 15 ilustrime, më pas çdo tregim kishte ilustrimin e vet”-tregon Agimi.
Gjithsej 35, të gjitha origjinalet e ilustrimeve që janë riprodhuar me mijra herë në faqet e librit të Mitrushit të madh, Agimi i Shijakut i ka vendosur pas xhamave të mbërthyer në mur.

Piktor dhe historian
Bashkë me to, në mure kanë zënë vend tablo të ndryshme, vizatime, studime e punime të hershme.
Në 52 vjet karrierë artistike Agim Faja ka hapur 11 ekspozita, të cilat kanë shëtitur në qytete të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.
Punimet e tij janë ekspozuar në Egjipt, Kinë, Algjeri, Turqi, Rumani, Kosovë, Francë, Itali e Gjermani, dhe një pjesë kanë mbetur atje në koleksionet private apo shtetërore.
Dy vjet më parë bashkë me djemtë Arditin dhe Ergysin dhe me nipin Francin, edhe ata piktorë, artistët Faja përkujtuan në Shijak 50-vjetorin e ekspozitës së parë figurative në qytetin e vogël.
“Më sollën nga galeria e arteve në Durrës edhe disa nga punimet e viteve 1960-1980, të cilat fillimisht i vendosa në studio, ja këtu ku jemi bashkë – tregon me emocion Agimi. Nuk më besohej që ato tablo i kisha bërë vetë”.

Pastaj qesh: Edhe këtë unë e kam bërë, por në vitin 1972 nuk ma pranuan në ekspozitë. I kisha bërë kooperativistet shumë joshëse-thotë me humor Agimi, duke rikujtuar kohët kur gjithçka duhet të kalonte në vrimë të gjëlpërës.
Në raftet pas tavolinës shihen vëllime të pafund, të gjitha të shkruara me dorë me një kaligrafi për tu patur zili.

“Historia e Shijakut është këtu, në këto pesë vëllime – tregon Agimi, i cili prej vitesh ka grumbulluar kujtime nga të moshuarit, grimca folklori të zonës, dokumenta dhe foto, një pjesë e të cilave janë botuar në formën e broshurave. Plot të tjera presin botimin.
Agim Faja nuk ka dyshim se punimet e tij për historinë e Shijakut një ditë do të botohen. Piktori i njohur që e ka treguar qytetin dhe natyrën e tij përmes peisazheve dhe kompozimeve të mrekullueshme do tu dëshmojë bashkëqytetarëve më të rinj edhe të kaluarën e vendit ku kanë lindur.