Intervistë nga Elitjona Doko
Pjesëmarrja e grave në politikë mbetet një nga temat më të diskutuara në Shqipëri, jo vetëm për shkak të sfidave që ato hasin, por edhe për kontributin e rëndësishëm që sjellin në vendimmarrje. Edlira Hyseni, ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë në Legjislaturën e XVI nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndan me ne rrugëtimin e saj politik, që nga hapat e parë e deri te sfidat e përfaqësimit në një terren ende të dominuar nga burrat.
Në këtë intervistë, ajo flet për barrierat e grave në politikë, që nga mentaliteti e deri te mungesa e aksesit në financat partiake, duke theksuar se për të ecur përpara, duhet së pari të bindësh veten. Ajo ndan përvojën e saj mbi mbështetjen (apo mungesën e saj) financiare në fushatat elektorale, sfidën e “mbijetesës” në një fushë ku burrat kanë avantazhe të dukshme, por edhe motivin pse gratë duhet të angazhohen më shumë në politikë.
A është politika një hapësirë ku gratë mund të çajnë përpara? Sa të barabarta janë mundësitë dhe si mund të bëhet ndryshimi? Në këtë rrëfim të sinqertë, Hyseni sjell një këndvështrim realist, por optimist, duke e parë politikën si një mision që kërkon përkushtim, pasion dhe bashkëpunim.
- Si jeni bërë pjesë e strukturave të partisë të cilën keni përfaqësuar apo përfaqësoni aktualisht?
Angazhimi im fillestar në politikë pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, dega Durrës, ka nisur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Dashuria për qytetin ku jetoj dhe kam ndërtuar familjen, punën dhe shoqërinë, si dhe miqësia me gra të zonja dhe aktive në politikë, më motivuan të afrohesha me strukturat partiake, programin dhe organizimin e tyre. Një kombinim mes ëndrrave, idealizmit, punës, përkushtimit dhe korrektësisë ka qenë pika ime e nisjes në këtë rrugëtim.
- Cila është një nga barrierat kryesore për të pasur mundësi të barabarta në politikë?
Besoj se të gjithë nisemi të barabartë në parim, por barrierat për gratë janë të shumta. Mentaliteti i mbyllur, skepticizmi dhe mungesa e besimit që kemi ndaj vetes, por edhe brenda familjes dhe shoqërisë, janë pengesa të mëdha. Megjithatë, nëse bindim veten që politika është rruga që duam të ndjekim, çdo barrierë tjetër bëhet e kalueshme me durim dhe tolerancë.
- Fushatat elektorale kanë kosto financiare. Keni pasur akses në financat e partisë? Cilat kanë qenë burimet e financimit të fushatës tuaj?
Teorikisht, partitë politike duhet të ofrojnë mbështetje financiare për anëtarët e tyre gjatë fushatave, por praktikisht kjo është e pamundur për shumicën. Personalisht, kam mbuluar vetë çdo kosto financiare të angazhimit tim politik. Ky aspekt është një ndër arsyet kryesore pse shumë gra hezitojnë të angazhohen në politikë.
- Mendoni se mungesa e aksesit të barabartë në financat politike është një pengesë për pjesëmarrjen në politikë të grave dhe vajzave?
Po, mungesa e aksesit në financa është një arsye e rëndësishme e distancimit të grave dhe të rinjve nga politika. Nëse partitë kanë burime financiare, por këto janë të përqendruara në duart e pak personave (kryesisht burra), atëherë duhet të rishikohen këto praktika për të mbështetur më shumë ata që kontribuojnë nga baza.
- Si grua, sa të vështirë e shihni “mbijetesën” në politikë? A janë më të avantazhuar burrat sipas jush?
Burrat janë padyshim më të avantazhuar, siç e tregojnë edhe shifrat e përfaqësimit të grave në çdo parti, në poste drejtuese dhe në Parlament. Megjithatë, unë besoj se gratë kanë aftësinë për të “mbijetuar” dhe për të pasur sukses në politikë. Politika ka zemër, bukuri, formim dhe përkushtim – cilësi që gratë i kanë në shumicë.
- Referuar eksperiencës suaj politike, përse një grua ose një vajzë duhet të bëhet pjesë e politikës?
Sepse kemi nevojë të besojmë, të ëndërrojmë dhe të luftojmë për më mirë. Një grua në politikë i jep zë dhe shpresë qindra mijëra grave të tjera që e ndjekin nga distanca. Një grua e vendosur është më e fuqishme se dhjetë burra që kërkojnë pushtet.
- Sa i ka shërbyer profili juaj profesional subjektit tuaj politik? Ka përfituar politika prej jush apo ju prej politikës?
Besoj se i kemi shërbyer reciprokisht njëra-tjetrës. Politika më ka dhënë mundësinë të njoh dhe të forcoj veten, ndërsa unë kam dhënë kontributin tim në përfaqësimin e njerëzve dhe shqetësimeve të tyre. Politika nuk të bën njeri më të mirë ose më të keq, por është një mundësi për rritje personale dhe profesionale. Në fund, dua të theksoj se politika është një mision në grup, që kërkon frymë bashkëpunimi dhe energji pozitive. Mirënjohja për njerëzit që takojmë gjatë këtij rrugëtimi duhet të jetë gjithmonë prezente.
Studimet e mëparshme mbi aksesin në financat e partive politike kanë ngritur shqetësime për mungesën e pabarabartë në shpërndarjen e fondeve dhe transparencën e tyre, nëse po përmbushin vërtet qëllimin e tyre. Edhe pse financimi publik synon të nxisë pjesëmarrjen e barabartë në politikë, në realitet, aksesimi mbetet shumë i kufizuar, veçanërisht për gratë kandidate.
Një studim i Fushatës së Zgjedhjeve Parlamentare 2021, i realizuar nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” mbështetur nga National Democratic Institute (NDI) përmes Foreign, Commonwealth and Development Office (FCDO), tregoi se vetëm 13.25% e kandidatëve patën akses në këto fonde, duke ekspozuar një hendek të madh midis politikave dhe zbatimit të tyre. Në vitin 2025, qeveria shqiptare ka alokuar 345.6 milionë lekë si ndihmë financiare vjetore për partitë politike. Megjithatë, çështja kryesore mbetet: Si shpërndahen këto fonde brenda partive dhe kush përfiton realisht? Pa mekanizma të qartë për të garantuar akses të drejtë, burimet financiare vazhdojnë të mbeten të përqendruara në duart e pak njerëzve, duke forcuar strukturat ekzistuese të pushtetit politik, që shpesh favorizojnë elitat e partive, kryesisht burra, në dëm të kandidatëve të rinj dhe atyre të nënpërfaqësuar, veçanërisht grave. Për të ndryshuar këtë situatë, janë propozuar disa modele, përfshirë një iniciativë ligjore të mbështetur fort nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”, e cila kërkon që 10% e fondeve publike të ndahen drejtpërsëdrejti për forumet e grave brenda partive politike. Qëllimi i kësaj nisme është që gratë të marrin mbështetje financiare të pavarur nga strukturat partiake që shpesh i anashkalojnë. Megjithatë, pa mekanizma konkretë, gratë do të vazhdojnë të përballen me vështirësi për të siguruar fondet e nevojshme për fushatat zgjedhore. Me afrimin e zgjedhjeve dhe mungesën e garancive për akses financiar për gratë kandidate, është e domosdoshme të monitorohet nga afër se si shpërndahen fondet publike dhe kush ka akses në to. Derisa të zbatohen reforma efektive, financimi politik do të mbetet një barrierë e madhe për arritjen e barazisë gjinore në vendimmarrje.