Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm rreth orës 08:30 në rrugën nacionale Fushë Krujë–Durrës, në kilometrin e dytë nga Fushë-Kruja, pranë zonës së njohur si “Nord Parku”. Dy automjete kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal pas një përplasjeje mes tyre.
Sipas të dhënave paraprake, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë tentativa për parakalim nga ana e një drejtueseje femër, e cila nuk ka arritur të përfundojë manovrën, duke u përplasur me mjetin tjetër. Si pasojë e përplasjes, të dyja makinat kanë humbur kontrollin dhe kanë dalë nga rruga.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur drejtuesja e njërit mjet dhe një pasagjer, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore.





