Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë së bizneseve përreth zbardhet dinamika e aksidentit të frikshëm, regjistruar pasditen e së premtes në lagjen nr.14 në Durrës.

Në video duken momente nga përplasja e shumëfishtë që ndodhi në rrugën e ish-Kënetës, ku mbeti i vdekur një 50-vjeçar që lëvizte me biçikletë.

Automjeti tip “Benz” i përfshirë në aksidentin e shumëfishtë po lëvizte me shpejtësi të madhe në këtë aks kur humbi kontrollin dhe kaloi trafikndarësen e rrugës, duke aksidentuar një biciklist për vdekje, një këmbësor, një motor dhe një automjet të parkuar, për t’u përplasur më pas pranë një lavazhi.

Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim shtetasin L.Z. i cili ishte në timon dhe menjëherë pas përplasjes u largua nga vendngjarja.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 17:30, në lagjen 14/1 Durrës, një automjet me drejtues shtetasin L. Z, është përfshirë në një aksident me një motomjet me drejtues shtetasin Sh. S, dhe një biçiklist shtetasin F. Gj.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi F.Gj, rreth 50 vjeç.

Drejtuesi i automjetit shtetasi L. Z, është larguar nga vëndi i ngjarjes dhe vijon puna për kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.