Një re e madhe tymi është formuar pas shembjes me tritol të pallatit 6 katësh në bulevardin “Dyrrah”.

Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur me eksploziv të kontrolluar objektin në lagjen 11.

Kjo godinë e cila tashmë është kthyer në një grumbull të madh inertesh, ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Për shembjen e tij pati dy variante, me shpërthim të komanduar dhe me mjete të rënda.

Banorët dhe bizneset kërkuan që shembja e pallatit të bëhej me mjete të rënda për të evituar dëmtimet në godinat dhe pronat e tyre, por IKMT zgjodhi variantin me shpërthim.