Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka forcuar dhe shtrënguar akoma më shumë masat dhe kontrollet, nëpërmjet monitorimeve dhe sinjalizimeve në stabilimentet e produkteve të qumështit dhe nën produktet e tij, me qëllim sigurimin dhe garantimin e çdo produkti që tregtohet në vend.
Konkretisht, në vazhdimësinë e kontrolleve në baxho, inspektorët e AKU-së kanë kapur në flagrancë shtetasin Durim Gallubja i cili tregtonte djathë të bardhë pa asnjë lloj etikete si dhe në kushte të rënda higjeno-sanitare.
Nga ky kontroll, trupa inspektuese e DRAKU, Shkodër konstatoi që subjekti, me Nipt L56411014T, dhe aktivitet “Përpunim qumësht, Baxho” kryente veprimtari në kundërshtim me stadardet e sigurisë ushqimore duke ruajtur produktin djathë në ambient frigoriferik me përmbajtje myku si dhe temperatura e trajtimit të qumështit nuk ishte në normat e lejuara.
Për sa më sipër u mor masë administrative gjobë 350.000 lekë , mbyllje të aktivitetit si dhe bllokim të sasisë së produktit “djathë i bardhë” prej 120 kg, si dhe u morën mostra për analiza.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor (njësive të tregtimit e shërbimit) që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.