Nga Mila Ballhysa

850 milionë lekë për projektin “Veliera”, megjithëse ende nuk është përmbyllur projekti i parë, që tani ka hyrë në vitin e 4-ërt të zbatimit. Qytetarët durrsakë, të goditur rëndë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit e që po vuajnë pasojat në ekonomi prej masave kufizuese për shkak të pandemisë Covid-19, do të duhet të paguajnë me taksat e tyre për një vepër që s’dinë ende kur do ta shohin të finalizuar.

Në datë 8 maj është zhvilluar tenderi me pjesëmarrës vetëm kompaninë EVEREST SHPK, (e njëjta që mori përsipër ndërtimin e Velierës), e cila u shpall fituese në një garë pa kundërshtarë. Agjencia e Prokurimit Publik zgjodhi ta zhvillonte tenderin me PROCEDURËN ME NEGOCIM PA SHPALLJE PARAPRAKE, ndërkohë që objekti i tenderit ishte “Shtesë kontrate “Rivitalizimi i sheshit publik para hyrjes së portit L.I””

Bashkia e Durrësit nuk ka zbardhur deri më tani se çfarë punimesh do të kryhen në terren dhe për çfarë do të përdoren 850 milionë lekë. Është mjaftuar vetëm me shpjegimin se punimet janë në vazhdën e projektit “Veliera”.

Dy muaj më parë, kur DurrësLajm pyeti zyrtarisht bashkinë se pse nuk kishte përfunduar ende projekti, pushteti vendor shpjegoi se tërmeti dhe pandemia Covid-19 u bënë shkak për mos finalizimin e tij dhe pritej rikthimi i normalitetit që Vela, prej të cilit mori emrin edhe sheshi, të mbërrinte në Durrës.

Në foto: Durrësi vite më parë, kur betonizimi nuk kishte nisur

Tërmeti dhe pandemia penguan Velën që të udhëtonte nga Italia drejt Durrësit, por nga ana tjetër këto dy fatkeqësi natyrore nuk penguan bashkinë që të akordonte 850 milionë lekë për projektin, që shumë qytetarë e kanë cilësuar një betonim më shumë në atë që vite më parë ishte një hapësirë plot gjelbërim.  

Tender me flamur të kuq

Në portalin Open Data Albania, i cili ka për qëllim të informojë qytetarët dhe të monitorojë procedurat e prokurimeve publike, tenderi i bashkisë Durrës “Shtesë kontrate “Rivitalizimi i sheshit publik para hyrjes së portit L.I”” klasifikohet me Flamur të Kuq.

Por çfarë nënkupton flamuri i kuq?

Në këto raste, sipas këtij portali, “prokurimi zhvillohet me një konkurrent të vetëm. Ligji shqiptar i lejon këto lloj procedurash. Shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokument në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk”.

Kompania EVEREST SHPK konkuroi e vetme në tender dhe për pasojë domosdoshmërisht do të shpallej fituese.

Investimi 850 mln lekë kaloi me buxhetin e vitit 2020

Projekti “Rivitalizimi i Sheshit Publik para Hyrjes se Portit” u prezantua gjatë mandatit të fundit të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe nisi zbatimin në fund të vitit 2016. Në fund të muajit dhjetor 2019, më saktësisht më datë 23, u miratua me votat e Këshillit Bashkiak njëngjyrësh buxheti i vitit 2020, i bashkisë Durrës. Projekt-buxheti u hartua në kohën kur bashkia drejtohej nga Valbona Sako dhe u miratua kur drejtonte Zhuljen Varfaj. Ndërsa kryebashkiakja aktuale Emirjana Sako ka dhënë kontribut për projektin “Veliera”, siç nënvizonte në CV-në e saj, të publikuar në faqen e bashkisë në kohën kur ishte Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike në bashki.

Një nga zërat e buxhetit ishte fondi prej 102.000.000 lekë të rinj që do të shkonte për “Shtesë kontrate “Rivitalizimi i sheshit publik para hyrjes së portit L.I””. Megjithëse me mijëra banorë të Durrësit ishin të strehuar në hotele, pasi kishin mbetur pa shtëpi prej tërmetit të frikshëm, bashkia vendosi të ndante për Velierën 1 miliardë lekë të vjetra. A ishte apo jo i nevojshëm që të bëhej një investim i dytë në Velierë në një kohë kur qyteti vuan pasojat e rënda të lëkundjes sizmike, kësaj pyetje më mirë t’i përgjigjen pushtetarët vendorë.

Në kohën kur u prezantua si projekt u tha se “Veliera” do të kushtonte rreth 4 milionë dollarë, të financuara një pjesë nga qeveria dhe një pjesë nga bashkia. Nuk dihet ende nëse këto 850 milionë lekë do të jenë të fundit për projektin para portit të Durrësit dhe në krah të Torrës Veneciane, apo projekti prej betoni do të “rrëmbejë” të tjera para të tatimpaguesve durrsakë në të ardhmen.

Sheshi “Veliera”

Projekti për rregullimin e sheshit para Portit të Durrësit u përgatit nga studio shqiptare e arkitekturës ERALD -G + ARKONSTUDIO dhe një studio e njohur arkitekture nga Italia, ARCHEA.

Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Arkitekti i njohur italian, drejtues i studios “Archea”, Marco Casamonti, tha gjatë prezantimit të projektit se “Veliera” do të jetë një nga simbolet moderne të Durrësit dhe do të kthehej në një hapësirë për këmbësorin, për argëtimin dhe një pikëtakimi në ambient të hapur por e mbuluar.

Për të simbolizuar idenë e komunitetit kontribuon një tendë e madhe guri e mbështetur mbi katër pika në mënyrë që të krijojë hije dhe mbrojtje për sheshin nën të, i cili nga ana e tij shërben si mbulesë e rrugës së automjeteve që do të jetë nën tokë në mënyrë që të eliminohet trafiku automobilistik pikëtakimi perpendikular i dy nga arteriet kryesore urbane do të shfaqet si një skenë natyrale për qytetin ku njerëzit mund të qëndrojnë, ku mund të organizohen shfaqe dhe evente, dhe ku konsolidohet dhe konkludon aksi i gjatë që të çon nga sheshi i Bashkisë për në det.