Konsumi i frutave dhe perimeve është thelbësor për të mbrojtur organizmin nga inflamacionet dhe sëmundjet e ndryshme. Një studim i fundit, i publikuar në revistën shkencore Immunity, vë në dukje se njerëzit që përfshijnë rregullisht në dietën e tyre perime si lakra, lulelakra dhe lakrat e vogla – të njohura ndryshe si lakrat e Brukselit – janë më të mbrojtur nga sëmundjet inflamatore.

Sipas studiuesve, një regjim ushqimor që nuk përfshin këto perime, e bën organizmin më të ndjeshëm ndaj inflamacionit të zorrëve, i cili shpesh është shkaku fillestar i sëmundjeve të rënda, përfshirë disa lloje tumoresh, artritin, diabetin dhe sëmundjet e zemrës.

Shkencëtarët theksojnë se këto perime duhet të jenë prioritet sidomos për personat e predispozuar ndaj sëmundjeve tumorale, pasi ato veprojnë që në fazat e para të mbrojtjes duke parandaluar formimin e inflamacionit në stomak dhe më gjerë. Përveç trupit, ndikimi i tyre pozitiv prek edhe trurin, duke ulur rrezikun për sëmundje neurologjike që lidhen me proceset inflamatore.

Perimet e familjes botanike Brassica, që përfshijnë edhe brokolin dhe barishtet e egra, ruajnë më së miri vlerat e tyre ushqyese kur gatuhen të pjekura ose të kavërdisura lehtë me pak vaj ulliri dhe kripë.