Pas akuzës së kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për shembjen e urës në Fushë Draç Ishëm si pasojë e motit të keq, ka ardhur edhe reagimi i bashkisë Durrës.

Bashkia e Durrësit sqaron se kjo urë është kryer dhe marrë në dorëzim në vitin 2011 nga kryetari i komunës Ishëm Gëzim Ylli i cili ishte përfaqësues i Partisë Demokratike.

Sakaq, bashkia e qytetit bregdetar thotë se brenda pak ditësh kjo urë do të riparohet.

Kujtojmë se kreu i PL-së, përmes një statusi në rrjetet sociale akuzoi qeverin për shembjen e urës dhe e cilësoi si një investim i vjedhur.

Reagimi i plotë:

Bashkia e Durrësit sqaron opinionin publik: Edhe pse në një ditë të ngarkuar me punë ku të gjitha grupet tona janë në terren në përgjigje të situatës, duhet të harxhojmë kohë dhe energji për të vërtetuar me dokumenta dhe fakte të kundërtën e atyre që akuzohemi. Meqënëse përgjegjësia edhe për motin ekstrem kërkohet ndaj qeverisë ku akuzohemi se “ura në Fushë Draç Ishëm, e ndërtuar nga rilindja urbane është shembur” ju vëmë në dispozicion një dokument që vërteton se ky investim është kryer dhe marrë në dorëzim në vitin 2011 nga kryetari i komunës Ishëm Gëzim Ylli i cili ishte përfaqësues i Partisë Demokratike. Pavarësisht akuzave ne vazhdojmë punën në shërbim të qytetit dhe qytetarëve dhe brenda pak ditësh kjo urë do të riparohet.