Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë  “arrest me burg” për 50-vjeçarin Festim Hadëri, i cili u arrestua 3 ditë më parë për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me mbesën e tij.

Disa ditë më parë, ngjarja ka shokuar opinionin publik, ndërsa ditën e sotme i akuzuari është përballur për herë të parë trupën gjykuese, e cila vendosi ta lerë në burg deri në fillim të hetimeve.

Festim Hadëri nuk i ka pranuar në asnjë rast akuzat që ngrihen ndaj tij, ndërsa në seancë avokati mbrojtës i 50-vjeçarit ka kërkuar zëvendësim të masës së sigurimit personal me një më të butë edhe për shkak të gjendjes shëndetësore të klientit.

Gjyqtari i seancës Paulin Çera nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka lënë në fuqi kërkesën e akuzës.

Festim Haderi akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari”.

Arrestimi u bë mbi bazën e denoncimit dhe dyshimeve se ai ka kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij 27-vjeçare, vajzën e të vëllait.