Një arrestim i realizuar një ditë më parë nga efektivët e policisë Durrës nxorri në pah një tjetër rast inçesti brenda një kohe shumë të shkurtër në qytetin bregdetar.

50-vjeçari F.H. banues në Durrës u arrestua, sepse ishte denoncuar në polici nga mbesa e tij (vajza e vëllait) se kishte kryer marrëdhënie intime me të kundër dëshirës së saj.

Në dëshminë e saj në polici, 27-vjeçarja ka pranuar se për disa kohë ka kryer marrëdhënie me xhaxhanë e saj, me konsensusin e të dyve, por në momentin që ajo ka dashur t’i japë fund këtij inçesti, xhaxhai ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, për të mos e ndërprerë marrëdhënien.

“Disa kohë më parë kemi pasur një raport bashkë. Vazhdoi për disa kohë me pëlqimin e të dyve. Më pas unë reflektova dhe kërkova ta ndërprisnim lidhjen. Por ai u bë keq dhe më kërcënonte se do t’i tregonte familjes sime për lidhjen tonë. Më bëntë presion psikologjik.

U gjenda në një situatë të vështirë, sa në disa raste mendova më të keqen për veten. I lutesha të më linte të qetë, pasi nuk doja të vazhdoja më, por ai nuk ndalej. Derisa vendosa ta denoncoja. Dua që ta arrestoni, pasi jam shumë e frikësuar”,– ka deklaruar 27-vjeçarja në polici.

Pas arrestimit, 50-vjeçari ka mohuar deklaratat e mbesës se ka kryer marrëdhënie me të me forcë. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur me pëlqimin e të dyve.

Shtetasi F. H. akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari”. 

Ky është rasti i dytë i inçestit në qytetin bregdetar, pasi pak ditë më parë, një 17-vjeçare ishte larguar nga shtëpia e saj dhe bashkëjetonte me kushëririn e saj. Kur u gjet nga policia, në muaj pas largimit nga familja, adoleshentja deklaroi se e donte djalin e hallës dhe familja s’kishte pse të shqetësohej, sepse ajo ishte e rritur dhe e dinte se çfarë donte.

“Kam shkuar me dëshirë dhe nuk më ka përdhunuar. Kam qëndruar vetë më dëshirën time në shtëpinë e kushëririt. E kam djalë halle. Nuk kam dashur të lajmëroj prindërit. Doja të jetoja e qetë. Nuk kishin pse të bëheshin merak. Unë tani jam e rritur”, u shpreh 17-vjeçarja në polici.

Ndërkohë, burime policore bënë me dije se 24-vjeçari me inicialet Sh. F., është shpërndarës droge.