Fernando Alonso u nis nga vendi i pestë në garën e Turqisë fundjavën e kaluar, megjithatë fati nuk ishte në anën e veteranit spanjoll, që pas dy incidentesh, fillimisht me Gasly e më pas me Mick Schumacher, arriti vijën e finishit vetëm i 17-i.

Duke komentuar garën e fundit, por edhe sezonin, piloti spanjoll pranoi se shpesh nuk e ka pasur fatin në anën e tij, teksa nuk ngurroi t’i kërkojë ndjesë edhe Mick Schumacherit, për atë kontakt që i prishi jo pak punë gjermanit.

“E kishim lexuar mirë garën dhe të nisesh nga vendi i pestë është diçka që nuk ndodh gjithmonë, por fati nuk ishte me ne dhe në fund përfunduam të 17-ët. Kontaktin me Gasly nuk e kam parë sërish dhe nuk e di a duhet të dënohet, por njoh pistën e Turqisë dhe ajo është një kthesë shumë e vështirë në kushte të rënduara atmosferike. Sa i takon kontaktit me Schumacher, e pranoj që bëra gabim dhe e quaj të drejtë penalizimin. I kërkoj ndjesë Mick-ut për këtë”, u shpreh piloti spanjoll.