Ambasada amerikane në Prishtinë ka deklaruar se pret që të punojë me Qeverinë dhe Kuvendin e ri të Kosovës për të “avancuar prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë”.
Ky njoftim i Ambasadës, i publikuar në rrjetet sociale, vjen dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese tha se Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është zgjedhur në mënyrë kushtetuese.
Gjykata më e lartë në vend po ashtu qartësoi se deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë kanë afat deri më 6 tetor që të zgjedhin presidentin e ri të vendit.
Sa i përket konstituimit të Kuvendit, Kushtetuesja u kërkoi deputetëve që ta zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Megjithatë, Gjykata konstatoi se organi ligjvënës u konstituua përtej afatit 30-ditor.
Kuvendi u konstituua më 13 shtator dhe disa orë më vonë u votua edhe Qeveria Kurti 4.
Megjithatë, njoftimi i Kushtetueses ka vënë në lëvizje Kuvendin, kryesia e të cilit mban sot mbledhjen e parë të legjislaturës së njëmbëdhjetë.
Në dy vjetët e fundit, Kosova është përballur me kriza të vazhdueshme politike. Në qershor, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi partitë politike nuk arritën konsensus rreth zgjedhjes së presidentit.





