Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka zhvilluar paraditen e sotme analizën vjetore të punës përgjatë vitit 2021.

I pranishëm në të ishte dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Megjithëse të gjitha mediat ishin të pranishme në sallë, pasi u njoftuan zyrtarisht që të ndiqnin analizën vjetore, ato u përzunë nga salla menjëherë pas fjalës së drejtorit të policisë së qarkut Durrës Neritan Nallbati dhe prefektit të qarkut Roland Nasto.

Shpjegimi me të cilin gazetarët dhe operatorët u nxorrën nga salla e mbledhjes ishte se analiza e mëtejshme e punës së policisë duhej të zhvillohej pa praninë mediatike.

Ndryshe nga çka vepruar në çdo qark të vendit, drejtori Gledis Nano nuk u prononcua për mediat, duke theksuar se do të kishte raste të tjera kur mund t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

Gjatë analizës së punës vjetore të DVP Durrës, drejtori Nallbati theksoi se zbulueshmëria e veprave penale përgjatë vitit që lamë pas ishte 80,73%.

“Gjatë vitit 2021 janë evidentuar në total 4318 vepra penale dhe janë zbuluar 3486, ose 80,73%. Krahasuar kjo me vitin 2020 kur kanë ndodhur 4291 vepra penale dhe janë zbuluar 3311 kemi 27 evidentime më tepër dhe rritjen e zbulueshmërisë me 3.5%. Raste dhune në familje janë evidentuar 244, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor janë 690, ndërsa kultivim i bimëve narkotike janë regjistruar 94 raste”,- tha drejtori i DVP Durrës.

Duke u ndalur tek prioritetet e punës së policisë përgjatë vitit 2022, drejtori Nallbati deklaroi:

“Prioriteti nr.1 është lufta kundër krimit të organizuar në fushën e trafiqeve dhe narkotikëve, krimeve të rënda kundër jetës dhe pronës, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomiko-financiar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Prioriteti nr.2 është garantimi i një mjedisi të sigurtë për komunitetin dhe mbështetjen e institucioneve të administratës shtetërore për zbatimin e ligjit dhe masave të veçanta administrative gjatë periudhës së pandemisë.

Prioritet tjetër është evidentimi dhe reduktimi dhe zgjidhja ligjore e konflikteve  dhe dhunës në familje dhe mbrojtjes së të miturve”.- tha drejtori Nallbati.

M.B.