Qytetarë të shumtë në Durrës, që janë gjobitur kohët e fundit për shkak të kundërvajtjeve rrugore si parkimi në vendet ku ndalohet qëndrimi, parkimi në trotuar, mosvendosja e rripit të sigurimit etj, janë gjobitur nga efektivët e Policisë Rrugore me gjoba që variojnë në shuma të ndryshme në varësi të llojit të shkeljes.

Por disa prej këtyre drejtuesve janë ankuar në redaksinë e “DurrësLajm”, për shkak se nuk kanë përfituar të drejtën për ta paguar gjobën brenda 5 ditëve me 20 % ulje.

Problemi qëndron pasi gjoba nuk është hedhur në sistem gjatë ditëve të para kur edhe ajo përfitohet me ulje. Qytetarët paraqiten pranë filialeve të Postës Shqiptare me fletën e gjobës për ta paguar, por përgjigja që iu kthehet nga arkëtaret e Postës është: “Nuk mund ta paguani pasi nuk ka dalë ende në sistem”.

Pavarësisht tentativave të përditshme brenda afatit 5-ditor duke u interesuar pranë Postës për pagesën e gjobës, përgjigja është e njëjtë në shumë raste: Gjoba nuk është hedhur ende në sistem!

DurrësLajm” u interesua pranë Drejtorisë Vendorë të Policisë Durrës, nga ku burime zyrtare thanë se ky është një problem sistemi i Postës dhe i Financës.

Po sipas të njëjtave burime, u pohua që ky është një problem i ngritur edhe në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, pasi ka pasur ankesa të vazhdueshme nga qytetarët.

Sipas Kodit Rrugor, “Për gjobat e vendosura dhe të paarkëtuara në afat (data e vendosjes së gjobës plus 4 ditë të tjera), aplikohet kamatëvonesa në masën 2% të vlerës së gjobës për çdo ditë deri në një muaj (30 ditë).

Nëse arkëtimi i vlerës së gjobës bëhet brenda 5 (pesë) ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 20% të vlerës.

Përsa i takon të ardhurave nga gjobat, Pika 3 e nenit 203 e Kodit Rrugor parashikon se “të ardhurat nga gjobat për shkeljet e parashikuara nga ky Kod i kalojnë në masën 60% organit që ka verifikuar shkeljen. Këto të ardhura do të përdoren për përmirësimin e shërbimit në zbatim të këtij Kodi, kurse 40% i kalojnë shtetit.”

Për këtë problem, duket se askush nga insitucionet në fjalë nuk pranon të mbartë përgjegjësinë se përse gjobat shpeshherë nuk hidhen në sistem në kohë.

Dhe për sa kohë rregullat figurojnë vetëm në të shkruar dhe nuk funksionojnë rregullisht, kjo thjesht rëndon xhepin e qytetarëve shqiptarë dhe mbush më tepër arkën e shtetit!