Kompanitë e telefonisë celulare që operojnë në vendin tonë, duke nisur nga viti 2013 do t’i paguajnë Bashkisë së Tiranës 2 milionë lekë në vit për çdo antenë që kanë mbi pallate. Ky është një projektvendim i hartuar nga bashkia e kryeqytetit dhe pritet të kalojë për miratim në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak. Deri më tani në kryeqytet rezultojnë të jenë rreth 260 antena të telefonisë së lëvizshme, të cilat pritet t’i nënshtrohen
kësaj takse të re. Ndërkohë, një tjetër projektvendim që do kalojë në ‘parlamentin’ e Tiranës është edhe heqja e taksës vendore për një vit,
për 30 subjekte te tregu ushqimor që u dogjën. Po ashtu, Bashkia ka përpiluar edhe listën e subjekteve tregtare, luleshitës dhe librashitës,
që do të përfitojnë ulje 30% të taksës vendore.
TAKSAT&NDRYSHIMET
Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme do të shtrihet nga viti 2013-të deri në 2015-ën. Ky është vendimi që
ka marrë Bashkia e Tiranës, i cili do kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak më 24 dhjetor. Kjo lloj takse aplikohet për të gjitha subjektet që vendosin antena të telefonisë së lëvizshme (mobile) mbi tarracat e pallateve apo godinave të ndryshme brenda territorit të qytetit të Tiranës. Niveli i kësaj takse është 2 milionë lekë për çdo antenë në vit. Sipas Bashkisë së Tiranës, deri më tani në kryeqytet janë 260 antena që pritet t’i nënshtrohen kësaj takse të re pasi të miratohet nga Këshilli, që do të thotë se në një vit, buxhetit të bashkisë do t’i shtohen 520 milionë lekë nga kjo taksë. Mënyra e pagesës për këtë taksë të re është përcaktuar në projektvendimin, se llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Detyrimi lind nga momenti që vendosja e antenës konstatohet në terren. Taksa paguhet në katër këste të barabarta. Kësti i parë paguhet brenda datës 15 shkurt, kësti i dytë jo më vonë se data 15 maj, kësti i tretë jo më vonë se data 15 gusht dhe kësti i fundit, jo më vonë se data 15 nëntor e vitit korrent fiskal. Për çdo antenë të vendosur rishtas, afati i pagesës së taksës do të jetë 30 ditë pas lindjes së detyrimit. Një tjetër projektvendim që ka lidhje me taksat është edhe përjashtimi nga pagesa e taksës vendore për një vit, për 30 subjekte që ushtrojnë veprimtarinë
te Tregu Ushqimor me Shumicë pranë ish-Kombinatit Ushqimor, të cilat u dogjën nga një zjarr që ra në 2011-ën. Gjithashtu, për subjektet ‘librashitës’ dhe ‘luleshitës’, Bashkia ka propozuar lehtësira fiskale, vetëm për subjektet Biznes i Vogël, duke ulur detyrimin e taksës së Biznesit të Vogël në masën 30%.