I shoqëruar nga bashkëshortja dhe 2 fëmijët, kandidati i PD-ASHM në listat e mbyllura Igli Cara ka shprehur sot vullnetin e tij me votë.

Pas votimit, Cara i ftoi të gjithë qytetarët të dalin masivisht në votime, sepse me votë do të bëjnë ndryshimin e shumëpritur nga shqiptarët.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Është dita kur me vullnetin e tyre të lirë vendosin për të ardhmen. Prandaj mendoj që të gjithë duhet të marrim pjesë masivisht në zgjedhje, të shprehin vullnetin e tyre. Garantojmë që vota e tyre do të jetë e fshehtë, e sigurt dhe e patjetërsueshme. Tani dihet që pushteti i votës bën ndryshimin dhe uroj që së bashku me pjesëmarrjen masive të bëjmë ndryshimin e madh, ndryshimin që pret gjithë qyteti i Durrësit, që pret Shqipëria, që presin familjet tona. Uroj gjithë të mirat për ju dhe së bashku me ju, më datë 12 të festojmë për ndryshimin e madh në Shqipëri”.

Njëkohësisht ai u ndal edhe tek parregullsitë që kanë shoqëruar procesin dhe presionin e ushtruar nga administrata dhe drejtuesit e institucioneve mbi qytetarët për të deformuar votën.

“Ecuria ka qenë me probleme. Nëpër qendra votimi ka pasur pjesëmarrje masive të administratës, të drejtuesve politikë, në fakt një numër i shtuar i tyre. Ne gjatë të gjithë periudhës kemi bërë denoncimet përkatëse në organet ligjzbatuese për disa drejtues politikë apo drejtues institucionesh të cilët kanë intimiduar, kanë bërë presion mbi punonjësit. Por unë jam optimist për rezultatin, për ndryshimin sepse numëri masiv i pjesëmarrjes do të bëjë ndryshimin e pritshëm”,- tha Cara.