Piktura dhe poezia janë dy gjini artistike që ndërthuren këndshëm tek artistja e re Keidi Sejdiu, duke plotësuar në një farë mënyre njëra tjetrën dhe duke i dhënë artit të saj një frymë më specifike. Nuk ndodh shpesh që vargjet poetike të kombinohen me bojërat e vajit, që disa rreshta të hedhura nxitimthi në një copë letër, të shprehen më pas në disa penelata, por Keidi duket se ia ka dalë mbanë kollaj ta bëjë një gjë të tillë.

Duket se arti ka qenë një shtysë e brendshme për të, që me kohën është forcuar edhe më shumë duke e lidhur fort pas vetes. Megjithëse është diplomuar  në Akademinë e Arteve Figurative, dega Pikturë Monumentale, (vitrazh – mozaik – pikturë murale), poezia ka mbetur një shoqëruese e pandarë e saj. Keidi rrëfen gjatë bashkëbisedimit se lidhja me vargun ka qenë mjaft e hershme, që në vitet e shkollës 8 vjeçare, kur për herë të parë u nderua me çmim të parë.

Çmimi më i fundit i koleksionuar në poezi është ai në poetekën “Ndue Bytyçi”, aktivitet i zhvilluar një muaj më parë në Tiranë.  Ndërsa ka botuar dy vëllime me poezi “Unë sekonda e harruar” dhe “Një orë artiste”, po bëhet gati për të hedhur në treg vëllimin e tretë.

Por përkushtimi ndaj poezisë nuk e bën asnjëherë të lërë pas dore pikturën, që megjithëse është një pasion që e ka mbërthyer pak më vonë i rrëmben një pjesë të mirë të kohës. “Aroma e bojërave për mua është parfumi më i shtrenjtë në botë”,- thotë Keidi duke na lënë të kuptojmë se mes mureve të ateliesë ajo gjen një strehë të dashur, që e frymëzon për të çuar më tej punën e saj. Duket se pasionin për pikturën dhe letërsinë ka ditur t’i ngërthejë më së miri në një ide të saj që prej kohësh i vërtitej në kokë, por që prej muajsh është realitet i prekshëm.

Në revistën e parë të Artit Figurativ në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqipfolëse, ku ajo është drejtoreshë, Keidi ka mundur të realizojë një simbiozë funksionale mes artit dhe letrave, mes pikturës apo skulpturës dhe shkrimeve kritike. Dhe duket se është ende në hapat e para, pasi projektet e saj të rradhës ende presin të vihen në zbatim, siç rrëfen ajo për “Dyrrah”. 

Ju jeni njëkohësisht poete dhe piktore, ç’mund të na tregoni për punën tuaj në këtë larmi arti?

Unë kam shkruar që në moshën 10 vjeçare dhe nuk jam shkëputur asnjëherë nga krijmtaria, kuptohet me gjithë momentet e veta më të mira, apo të këqija. Por mund të them që sot pas gati 20 viteve e ndjej veten shumë të fortë në fushën e letrave, edhe për arsyen se gjithmonë kam krijuar për të qenë Keidi, jo për t’u afishuar si poete. Kjo më ka ndihmuar të krijoj një natyrë poezie timen dhe të dallohem nga krijuesit e tjerë. Kur isha ende në shkollën 8-vjeçare mora pjesë për herë të parë në një konkurs, aty unë kam fituar çmimin e parë.

Për vite të tjera me radhë në të gjithë konkurset ku kam qënë pjesëmarrëse kam dalë fituese, dhe kjo gjë më krijon bindjen që jam në udhë të mbarë. Poeteka Bytyçi ku së fundmi mora çmimin e parë, ishte shumë domethënëse, sepse aty merrnin pjesë një numër i madh poetësh nga Shqipëria, Kosova etj.  Fitorja me maksimumin e pikëve nga të gjithë anëtarët e jurisë, ishte një surprizë për mua, që më bëri të përlotem nga gëzimi. Të njëjtin emocion që kam ndjerë para 2 vitesh në “Takimin e Poeteshave Shqiptare” ku unë tërhoqa kupën.

Piktura është në çdo hap të jetës sime. Fillon që në mëngjes kur më duhet të kombinohem me ngjyrat, vazhdon në punën time si designer e deri tek mbyllja në studio përpara kavaletit. Më pëlqen kur hap derën e studios dhe ndjej aromën e bojërave. Më pëlqen dhe kur bojërat e vajit përlyejnë duart dhe rrobat e mia. Aroma e tyre për mua është parfumi më i shtrenjtë në botë

Ndërsa pikturën e ushtroj jo vetëm si pasion, por dhe si profesion. Piktura është në çdo hap të jetës sime. Fillon që në mëngjes kur më duhet të kombinohem me ngjyrat, vazhdon në punën time si designer ku njohuritë dhe ndjesitë e artit e diferencojnë krijmtarinë time, e deri tek mbyllja në studio përpara kavaletit. Më pëlqen kur hap derën e studios dhe ndjej aromën e bojërave. Më pëlqen dhe kur bojërat e vajit përlyejnë duart dhe rrobat e mia (nuk më vjen keq sado të shtrenjta mund të jenë). Aroma e bojërave për mua është parfumi më i shtrenjtë në botë.

Si e ndjen veten një piktore kur është prezent edhe në poezi?

Në të vërtetë tani jam duke punuar një cikël në pikturë, që merr spunto nga një poezi. Ndjesitë dhe emocionet e mia, njerëzit, ngjarjet, emocionet, hidhen në poezi apo në pikturë, sepse këto janë mjetet e mia të shprehjes. Aktualisht unë jam botuesja e Revistës së Artit “MUZA”, tek e cila më duhet të shkruaj editorial, apo shkrime kritike të ndryshme. Poezia dhe ndjesia ime për fjalën më kanë ndihmuar ta shfrytëzoj më së miri këtë dhunti, meqenëse unë po përgatitem të ndjek këtë vit doktoraturën për kritikë dhe histori arti.

Përveç pikturës dhe poezisë si e kaloni kohën e lirë?

Kam shumë pak kohë të lirë, sepse e organizoj ditën në mënyrë të atillë që të kem gjithmonë diçka për të bërë.. Kaloj shumë orë në studio, megjithatë mundohem që në kohën e lirë t’i përkushtohem familjes dhe njerëzve të mi të dashur. Më pëlqen të udhëtoj. Të shkoj në kinema ose të bëj shopping.

Ju dha piktura poezinë, apo poezia pikturën?

Poezinë e kam shkruar përpara se të merresha seriozisht me pikturë. Mendoj se dhuntitë janë të lindura, varet vetëm nga koha kur t’i i zbulon. Unë ndaj të njëjtin mendim me një shprehje të të madhit Pikasso: “Të gjithë fëmijët janë artistë, problemi është si të qëndrojnë të tillë edhe kur ata rriten”. Mendoj se unë thjesht vazhdova të ndjek ëndrrat e mija. Sot unë shoh shumë fëmijë të talentuar që zgjedhin një rrugë tjetër me paragjykimin se me artin nuk mund të shkojnë larg. Unë mendoj se arti të jep mundësi të zbulosh dimensione të tjera, shumë, shumë herë më tepër se çdo profesion tjetër. “Arti të bën njeri më të mirë”,- këtë u them gjithmonë nxënësve të mi.

Shpirti juaj poetik shprehet në pikturë nëpërmjet poezisë?

Për mua është e njëjta gjë. Një artist e fut veten në çdo gjë që bën, që në mënyrën si e ndërton jetën rreth tij. Që në komunikim e deri në krijimtari. Ekspresionin që unë kam në pikturë e shfaq dhe në poezi, këto janë thjesht mjetet, me të cilat unë shpreh qenien time.

Ku qëndron forca e inteligjencës tuaj, është ambicie, sfidë apo të dyja bashkë?

Ambicien që kam nuk mund ta fsheh. Ambicia më shoqëron gjithnjë për të arritur gjëra që mbase nuk i kam ëndërruar në një moment tjetër, por sfidat që kalojmë na bëjnë më të fortë. Personalisht më pëlqejnë sfidat e mëdha dhe pasi arrita të botoj Revistën e Vetme të Artit Figurativ në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, mendova dhe mendoj se nuk ka asgjë të pamundur, duhet vetëm të kesh besim tek vetja dhe të japësh maksimumin tënd.

Ju shkruani edhe poezi dashurie në vargjet tuaja shpërthyese. Ç’është dashuria për ju?

Nuk di të jap një përkufizim për dashurinë, por mund të them që dashuria është forca më e madhe që ekziston, leva e Arkimedit që lëviz botën dhe pikë mbështetëse e saj mendoj se është zemra.

A ka ndonjë gjini tjetër që ju e lëvroni apo që do të dëshironi ta provoni?

Kam pasur shumë dëshirë dikur aktrimin, por e realizova ëndrrën kur luajta në teatër një personazh kryesor “Norën” tek “Shtëpi Kukulle” nga Henrik Ibsen. Kam ëndërruar të ndiqja studimet për arkitekturë fill pas diplomimit në akademi. Jam marrë shumë seriozisht asokohe, por për shumë arsye nuk i ndoqa dot studimet. Mendoj se nuk kam hequr ende dorë, sepse do t’i kthehem një ditë edhe për faktin se unë kam studiuar për pikturë monumentale, që lidhet drejtpërdrejtë me interierin dhe exterierin. Është thjesht çështje kohe.

Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme?

Artistët janë natyra të izoluara, kjo edhe për shkak se arti kërkon përkushtim dhe meditim. Shpirtërisht më mbështesin fjalët e mira të profesionistëve dhe miqve të mi, gjithashtu dhe njerëzit që dua, të cilët janë të sinqertë në komplimentet e kritikat.

Planet tuaja për të ardhmen, çfarë mendon dhe ka Keidi në fokus?

Fillimisht dua të botoj vëllimin tim të tretë me poezi. Do të marr pjesë në disa konkurse ndërkombëtare të Fjalës Poetike. Kam dëshirë të vazhdoj të publikoj me sukses revistën “Muza”. Gjithashtu do t’i përkushtohem disa projekteve shumë të rëndësishme artistike, të cilat kërkojnë një impenjim të madh.