Arrestime të shumta në mesnatë nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

DurrësLajm” mëson se gjatë natës së të enjtes, persona të arrestuar janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë, ndërsa sot, në orën 10:00, pritet të mbahet një konferencë për shtyp nga drejtuesit vendorë të policisë.

Gjatë kësaj jave, në qytetin bregdetar janë regjistruar dy ngjarje kriminale, vrasja e 29-vjeçarit Ermir Dedja dhe vendosja e një sasie eksplozivi pranë “Velierës”. Autorët e këtyre dy ngjarjeve ende nuk janë identifikuar nga policia.

Nuk dihet ende nëse arrestimet e fundit kanë lidhje me zbardhjen e njërës prej këtyre ngjarjeve, apo nëse bëhet fjalë për një aksion blic të policisë dhe forcave RENEA.

Njëkohësisht, vlen të theksohet se gjatë kësaj jave në Durrës u godit një nga grupet e strukturuara kriminale, për të cilin antimafia e Barit dhe SPAK kanë zhvilluar hetime disavjeçare.