Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “Detyrim paraqitje” për 8 të arrestuarit në konfliktin e ndodhur të dielën në “Kepin e Rodonit” në Durrës, përfshirë dhe ish-deputetin Mark Frroku.
Arrest me burg në mungesë u dha vetëm për shtetasin Besnik Toma, kushëririn e ish-deputetit Frroku, i cili dyshohet se është personi që qëlloi në ajër me armë zjarri.
I sapo liruar nga gjykata, në deklaratën për mediat, ish-deputeti Ffroku deklaroi: “Ne ishim në vendin e punës, konform të gjitha ligjeve shqiptare në fuqi”.
Pyetjes se pse u konfliktuat me 4 personat e tjerë, Frroku iu përgjigj: “Ata që erdhën, ne ishim në vendin e punës, çfarë të them më tepër!”
Prokurori Gezim Veizi kërkoi në gjykatë, që të konsiderohej i ligjshëm arrestimi dhe kërkoi si masë sigurie “Detyrim paraqitje” për shtetasit Bajram Kaculi, Erion Reka, Orion Reka, Ylli Reka (banorë të zonës), si dhe për Mark Frrokun, Antonio Lazari, Martin Lazari dhe Pal Doda (përfaqesues të kompanisë të pajtuar nga Kisha Franceskane për kryerjen e rrethimit të parcelës së tokës.
Prokurori kërkoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Besnik Toma, i cili dyshohet se ka qelluar me pistoletë, kërkesë kjo që u pranua edhe nga gjyqtarja Entela Shedula.