Arrestohen dy persona nga Durrësi, njëri nga të cilët një 18-vjeçar që u kap pa patentë dhe me një sasi të vogël kanabisi; ndërsa një 35-vjeçar nga Golemi theu masën e arrestit shtëpiak dhe dhunoi një person.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 18 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, pasi u kap teksa drejtonte motomjetin, pa leje drejtimi. Në vijim, gjatë kontrollit fizik, 18-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 35 vjeç, banues në Golem, pasi duke qënë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për drejtim të automjetit, në mënyrë të parregullt, ka shkuar në banesën e shtetasit E. D., 37 vjeç, të cilin dyshohet se për motive të dobëta, e ka kanosur, e ka goditur me grusht dhe i ka dëmtuar automjetin.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.