Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar në ishullin Rodos të Greqisë, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Në pranga u vu edhe nëna e tij, ndërsa autoritetet greke kanë sekuestruar një sasi prej afro 900 gramësh kokainë.
Sipas mediave greke, hetimi nisi pas një informacioni anonim për aktivitet të dyshimtë, ndërsa i riu rezultonte i njohur për autoritetet, pasi më parë ishte proceduar për një rast tjetër droge dhe ishte lënë i lirë me masa kufizuese.
Gjatë operacionit të zhvilluar më 26 prill, policia vëzhgoi lëvizjet e 30-vjeçarit, i cili dilte nga banesa në orët e vona dhe përdorte një automjet që nuk ishte në pronësi të tij, për të shmangur ndjekjen. Megjithëse kontrolli trupor dhe ai në banesën e tij nuk zbuluan asgjë, policia ushtroi kontroll edhe në apartamentin ku jetonte nëna e tij, të cilin i riu e kishte akses me çelësa.
Me ndihmën e një qeni antidrogë, në dollapin e dhomës së gjumit u gjetën 12 pako kokainë me një peshë totale prej 882.6 gramësh, si dhe një peshore precize. Vlera e drogës në tregun grek shkon deri në 88 mijë euro.
I riu mori përsipër autorësinë e plotë të ngjarjes dhe deklaroi se ishte detyruar të trafikonte drogën për të shlyer një borxh prej 18 mijë eurosh ndaj një grupi kriminal. Ai mohoi që nëna e tij të kishte dijeni për aktivitetin, ndërsa kjo e fundit u lirua me kusht nga gjykata.