Gjatë këtij sezoni turistik, ky është rasti i tretë i goditur nga policia, lidhur me veprimet e paligjshme të shtetasve të ndryshëm që shfrytëzojnë hapësirat e destinuara nga bashkia e Durrësit si vendparkime pa pagesë, si parkime për t’u marrë para qytetarëve.

Policia e Durrësit ka ushtruar kontrolle dhe verifikime në zona me frekuentim të lartë publik, për të konstatuar dhe goditur rastet kur hapësirat publike, shfrytëzohen në kundërshtim me ligjin, për qëllime fitimprurëse.

I tillë është dhe rasti kur një hapësirë publike në zonën e Shkozetit shfrytëzohej nga 57-vjeçari A.Q. për t’u marrë para qytetarëve.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve, ndaj subjekteve ekonomike që zhvillojnë aktivitetin e tyre në qarkun e Durrësit, kanë konstatuar dhe kanë goditur një tjetër rast të shfrytëzimit të hapësirave publike, në kundërshtim me ligjin, për qëllime përfitimi.

Për këtë rast, është vënë në pranga shtetasi A. Q., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi iu merrte para qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë, në lagjen nr. 14, hapësirë e cila ishte destinuar nga bashkia e Durrësit, si vendparkim pa pagesë”,– njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.