Nga Gëzim KABASHI

Mbrëmjen e kaluar në një nga sallat e hotel “Adriatik”, aktorë të teatrit të Durrësit, mësues dhe pedagogë, miq dhe familjarë, përkujtuan “Artisten e merituar”, Vera Urumi në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, e bashkë me të edhe bashkëshortin e saj, Spiro Urumin, një nga aktorët e shquar të teatrit “A.Moisiu”.

Neviana Urumi kujtoi bashkë me prindët e saj, edhe kontributet e aktorëve, që themeluan teatrin profesionist në Durrës. Regjisorët Haxhi Rama e Driada Drvishi dhe aktorët Ali Bega e Xhelal Tafaj sollën kujtime për kolegët e tyre, që nuk janë më, por që kanë lënë shenja të rëndësishme në jetën 71-vjeçare të institucionit artistik.

Një kronikë e shkurtër video dhe një fjalë e përgatitur me këtë rast, rikthyen figurat e Verës dhe Spiros, bashkëshortëve aktorë.

Vera dhe Spiro Urumi, bashkëshortët artistët të teatrit “Moisiu”    

Shkruar në 2014-n

Spiro Urumi ishte njeriu i pasioneve të mëdha. Aktori i njohur i teatrit të Durrësit që është ndarë nga jeta 13 vjet më parë jetoi intensivisht mes artit dhe sportit, duke u kthyer në një simbol të qytetarit pasionant.

Mjeshtri i sporteve

Pipi, siç vazhdojnë ta thërrasin Spiro Urumin bashkëmoshatarët edhe sot që nuk jeton më, ka nisur të merret me sport në moshë shumë të re. Shtatlartë dhe shumë energjik, që në vitin 1945 ai u aktivizua në ekipet e volejbollit dhe basketbollit në Durrës, duke fituar titullin e kampionit për të rinj në vitet 1946-1947.

Në moshën 18-vjeçare Urumi përfshihet në ekipin kombëtar të notit, duke përfaqësuar Shqipërinë në Ballkaniadën e notit dhe vaterpolit në Split e më vonë edhe në Hungari. Së bashku me shokët e tij Goga, Berberolli, Vokopola, Njala, etj. për afro 15 vjet ai bëhet një nga shtyllat e skuadrave të Durrësit dhe Partizanit në sportet e notit, vaterpolit, volejbollit, basketbollit, hendbollit, futbollit, atletikës, etj. duke merituar disa tituj kampioni radhazi.

Spiro Urumi u largua nga fushat e stërvitjes në vitin 1962 duke merituar edhe titullin “Mjeshtër sporti”.

“Bashkëshorti im, partneri më i mirë në jetë dhe në skenë”

Vera Urumi ka qenë shoqja e jetës dhe e skenës për artistin Spiro Urumi. Edhe tani që kanë kaluar 13 vjet nga “ikja” e tij Vera vazhdon të flasë për bashkëshortin sikur ta ketë pranë. Në një intervistë ajo tregon 50 vjetët e jetës së saj me Pipin.

-Kur jeni njohur bashkë?

-Kam qenë ende 17 vjeç, por ishim vetëm shokë. Unë kisha nisur punë në Teatrin e Ushtrisë në Tiranë dhe Pipi kryente shërbimin ushtarak në të njejtën trupë. Banoja në familjen e Gjikë Kuqalit dhe Pipi ishte durrrsaku që kujdesej për mua. Edhe kur u transferova pas 2-3 vjetësh në teatrin e Shkodrës ai më përcolli te autobuzi.

-Më 11 janar të vitit 1953 ju të dy keni qenë ndër aktorët themelues të teatrit profesionist të Durrësit?

-Është e vërtetë. Unë jam kthyer nga Shkodra pas një letre që më dërgonin aktorët Nikolin Xhoja dhe Tod Thanasi: “Teatri i Durrësit u aprovua. Të presim!”.

“Vajza nga fshati” ishte premiera e parë e trupës ku bënte pjesë edhe Pipi. Lidhja jonë u bë më e fortë.  

-A është e vështirë për familjen që dy bashkëshortët të jenë aktorë?

-Jo, me Pipin nuk ishte e vështirë. Ai e donte profesionin dhe më respektonte mua.  

-Si ishte si prind?

-Bënte gjithçka për Nevianën dhe Lydrën. I mbante vërtet në krahë. U blinte libra e dhurata pas çdo turneu. Nuk i ka penguar kurrë të aktivizoheshin në trupat teatrore, përkundrazi i nxiste. Kërkonte mendimin e tyre për premierat, madje i merrte me vete edhe në provat e përgjithshme. Sa herë i ka zënë gjumi në kolltukët e hollit të teatrit, kur ne ishim në skenë.

-Çfarë i pëlqente më shumë?

-Të lexonte. Kishte vullnet të papërkulur. Ishte 54 vjeç kur kreu universitetin në degën Gjuhë-Letërsi. Të gjithë librat që kemi në bibliotekë kanë shënimet e Pipit. Në teatër janë vënë në skenë disa pjesë të shkruara prej tij. Kishte kulturë mjaft të gjerë dhe i pëlqente të diskutontë për çdo gjë: nga arti e letërsia deri te sporti. Po kaq shumë e donte edhe detin. Nuk iu nda notimit jo vetëm në stinën e verës.

-E vuajti sëmundjen?

-Vitet e fundit ai u lidh shumë më nipin, Albin e vogël. Kujdesej për të, i nxiti dëshirën e leximit, iu bë shok. Ishte shumë e dhimbshme ta dëgjoje një ditë kur i fliste atij për sëmundjen e rëndë që gjyshi duhej të përballonte. Por Pipi ishte shumë i fortë. Për mua dhe vajzat qe shumë e vështirë. Ndodhi shumë shpejt.

Mbi 100 role në teatër dhe kinema

“Spiro Urumi ka qenë një aktor me temperament të gjallë dhe me vullnet të jashtëzakonshëm, i etur për dituri, me vendosmëri, seriozitet dhe përkushtim maksimal në punë”. Kështu e përkufizon regjisori Gjergj Vlashi “Artistin e Merituar” Spiro Urumi.

Por pasioni i Pipit për artin i ka fillimet e veta që në fëmijëri. I apasionuar pas kinemasë në moshën 13 vjeçare i hyn me pasion mësimit të gjuhës italiane. Ishte abonuar në 4 revista kinematografike italiane të kohës dhe ndiqte çdo film që shfaqej në kinema, siç dëshmojnë edhe ditarët e tij.

Nuk heq dorë nga ky pasion, megjithëse një kohë të madhe ia zinte sporti. Fillimisht në teatrin e ushtrisë në vitin 1949. Më pas, në vitin 1953 Urumi është një nga aktorët themelues të teatrit profesionist “Aleksandër Moisiu”. Në premierën përuruese të këtij teatri Spiro Urumi u vlerësua për realizimin e rolit të Xhelos në komedinë “Vajza nga fshati”.

Do të vijojnë më pas më dhjetra role së bashku me kolegët e tij Nikolin Xhoja, Lutfi Hoxha, Vangjel Heba, Todi Thanasi, Teodor Rupi, Ali Bega, Mirush Kabashi, etj. Një nga dimensionet më të njohura të Urumit ishte recitimi, gjini të cilën ai e kultivoi me shumë vullnet e kulturë. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike Spiro Urumi ka patur përkrah bashkëshorten e tij Verën, aktore shumë e talentuar, edhe ajo “Artiste e Merituar”.

Në galerinë prej 90 rolesh në teatër kolegët e tij veçojnë: Selimi te “Familja e peshkatarit” (1955) , Koçkariovi te “Martesa” (1955), Ivanovi te “Çështja Ivanov” (1959), Arnolfi te “Shkolla e grave” (1957), Shmidi te “Ndalesa e fundit” (1962), Njeriu me mantel te “Dashuri e tillë” (1963)  etj.

Spiro Urumi ka realizuar edhe 15 role të tjerë në kinematografinë shqipotare.

Për këtë veprimtari në vitin 1992 ai është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

“Në jetën time më shumë kam notuar se sa kam vrapuar”.  Këto fjalë janë shkëputur nga fletët e fundit të ditarit të Spiro Urumit, njeriut të cilin bashkëqytetarët e tij  vazhdojnë ta kujtojnë edhe sot për pasionin e pafund për detin e notimin si dhe për kontributin e madh në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Kush ishte Vera Urumi, artistja me një jetë intensive në skenë

Vera Urumi lindi më 4 shkurt 1932, por në pasaportë data zyrtare e lindjes së saj është 25 mars 1932. Ditën e sotme, 27 mars 2019, ajo mbylli sytë përgjithmonë, në moshën 87-vjeçare.

Aktorja që krijoi mbi 100 role në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” mbante titullin e nderuar “Artiste e Merituar”.

Artistja durrsake, Vera Urumi, veterania e skenës së teatrit dramatik “Aleksandër Moisiu”, e lidhi jetën e saj me një artist të shquar si Spiro Urumi dhe e bëri teatrin familjen e saj të dytë.

70 vjet më parë kur u ngjit për herë të parë në skenë, Vera 17-vjeçare nuk ka menduar se do të zbriste prej saj vetëm në fundin e viteve 1980, atëherë kur doli në pension.

Do të dilte mijra herë para spektatorëve dhe do të vishte “kostumin” e gati 100 personazheve të ndryshme, secili krejt i veçantë nga tjetri, po i përgatitur me të njejtin pasion dhe seriozitet që karakterizon një artist profesionist.

Vera Vreshtazi – Urumi, vajza nga Durrësi, do t’i hidhte hapat e parë në mjeshtërinë e aktorit në kryeqytet, në trupën e Teatrit të Ushtrisë, një nga ansamblet e parë teatrorë të vendit.

Durrësi nuk kishte ende një teatër profesionist dhe Vera që nuk i kishte mbushur të 20 vjetët iu bashkëngjit trupës së sapokrijuar të Shkodrës, duke perfeksionuar mjeshtërinë artistike mes aktorëve me emër.

Lutfi Hoxha tregon se roli i Zinës e ka pagëzuar karrierën artistike të Verës në teatrin e Durrësit, i cili deri në vitin 1965 e kishte sallën e tij në ish-kinemanë “14 nëntori”.

Sipas kolegut dhe mikut të saj Lutfi Hoxha, për Verën nuk kishte role të vegjël e të mëdhenj. Ajo interpretonte me të njejtën dashuri si rolet komikë ashtu edhe ata me forcë dramatike.

Më pas personazhet kanë qenë të pafund. Disa nga rolet e realizuara nga Vera në skenë janë veprat dramatike e komike “Pulëbardha”, “Dredhitë e Skapenit”, “Sëmundje e rrezikshme” apo “Nota  zero në sjellje”.

Komedia “Nusja dhe vjehrra” merrte njëlloj duartrokitje si drama “Mbrapa mureve”; “Dredhitë e Skapenit” vlerësohej me të njejtin seriozitet si “Votra e huaj”, e po ashtu “Familja e peshkatarit” përballë kryeveprës së Gogolit “Martesa”, një komedi që “udhëtoi” për vite me radhë në të gjithë vendin e që u shfaq më shumë se 400 herë. Një triumf për trupën e Durrësit e veçanërisht për dy protagonistët e saj Nikolin Xhoja e Vera Urumi-kujton Lutfi Hoxha.

Në familjen me emrin “Aleksandër Moisiu” bashkëshortët Vera dhe Spiro Urumi rritën edhe dy vajzat, Nevianën dhe Lydrën, të cilat shpesh i zinte gjumi në kolltukët e teatrit, teksa prisnin që prindërit të mbaronin provat e radhës.

Një jetë intensive në skenë për Vera Urumin, një shembull për t’u ndjekur nga aktorët e brezit të ri.