Nga Gëzim KABASHI

Katër tablo të piktorit durrsak AgimShami, që i përkasin viteve 1961 dhe 1986, të vendosura përballë kolegëve dhe artistëve të rinj, shërbyen për të përkujtuar piktorin e shquar, sot në 83-vjetorin e lindjes.

Alketa Tragaj, drejtore e Qendrës Kulturore dhe Nelo Lukaçi, skulptor i njohur, analizuan formimin profesional dhe veprat e piktorit, i cili u nda nga jeta në vitin 2021.

Mjaft i veçantë në përzgjedhjen e temave, Agim Shami spikat me punimet që tashmë bëjnë pjesë në fondin e pikturës sonë:

“Mëtëfortë se fontana (1981) – fituese e çmimit të dytë në Konkursin Kombëtar, “Gjithmonë gati” (1974), “Teatri partizan”, (1979), “Thesari i rilindësve” (1982), etj.

Të pranishmit nënvizuan edhe vlerat e tablove të tjera si “Sami Frashëri”, Malësori”, “Qyteti i Durrësit”, “Metalurgjia”, “Vitet e fëmijërisë” dhe“Vajza”.

Regjisori Haxhi Rama, moshatar me piktorin ndaloi veçmas tek tabloja “U lage gjysh?”, e ekspozuar në sallë.

Mjaft modest, Agim Shami, shpreh në ngjyra pa bujë e pa pompozitet një kënd jetësor, intim nga përmbajtja dhe realist nga forma.

Veprat e tij i përkasin gjinisë së kompozimit, ndërsa autori mjaft prej tablove i ka riprovuar 8-9 herë , me një zgjatje prej gati dy vitesh.

Skulptori Idriz Balani veçoi përgatitjen e hershme të Shamit, në studion e artistit Sabri Tuçi.

Agim Shami ka ecur përpara si piktor falë talentit dhe punës këmbëngulëse.

Student në liceun “Jordan Misja” në skulpturë dhe në Institutin e Lartë të Arteve në degën e pikturës gjatë periudhës 1957 – 1966, djaloshi më vonë përgatiti nxënësit në shkollat “Kushtrimi i lirisë” dhe në shkollën e mesme artistike “Jan Kulkuzeli”.

Mesuesi piktor Franc Priska e quan fat mësimin me prof. Agim Shamin.

Punimet e artistit durrsak kanë një atmosferë të veçantë, duke mundësuar zgjidhjet e natyrshm edhe pa bërtitje.

Ekzigjent ndaj vetes dhe në kërkim të vazhdueshëm të temave që e preokupojnë si qytetar dhe artist, Agim Shami bën pjesë në plejadën e artistëve më të shquar të arteve figurative pamore.