Pamundësia për të dëgjuar nuk e ka kufizuar aspak Flutura Bregun për të shprehur talentin e saj në pikturë dhe jo vetëm.

Shumë tablo plot dritë dhe ngjyra mbushin shtëpinë e saj, në lagjen nr.6 në Durrës. Të gjitha janë punuar plot dashuri nga duart e saj, shpesh duke përdorur jo vetëm bojërat e vajit, por edhe materiale të riciklueshme.

Buzëqeshjen e pandarë nga fytyra e saj, Flutura e ka përcjellë edhe në telajo me tablotë plot gjallëri dhe jetë.

Por nga duart e arta të Fluturës nuk dalin vetëm piktura. Talentin e saj artistik, ajo e shpreh shumë bukur edhe në krijimet dekoruese, me të cilat zbukuron shtëpinë.

Me copa shumëngjyrëshe, argjil, letra me ngjyra, materiale të riciklueshme etj, Flutura nxjerr nga duart e saj shumë punime artistike me të cilat është e mbushur anë e kënd shtëpia e saj.

Nënë e dy djemve, që tashmë janë në moshë madhore, Flutura gjen kohë për t’ju dedikuar edhe makinës qepëse. Shumë nga veshjet e saj, ajo i qep vetë. Edhe ky është një pasion që e ka shoqëruar ndër vite dhe pavarësisht vështirësive ka vazhduar ta ushtrojë me pasion.

Shtëpia modeste e familjes Bregu është një muze në miniaturë për krijimet e Fluturës së palodhur.

Me talentin dhe pasionin që e karakterizon, Flutura është një dëshmi e gjallë e faktit se pavarësisht pamundësisë për të folur dhe dëgjuar, prirja artistike shpaloset mjaft bukur në krijimet që punon plot dashuri. 

Largohemi nga shtëpia e saj me idenë se njerëz si Flutura dhe bashkëshorti i saj këpucar, gjithashtu në pamundësi për të folur dhe dëgjuar, janë mes heronjve të heshtur të qytetit tonë, që me shumë punë dhe përkushtim kanë ndërtuar një jetesë modeste.