BRUKSEL– Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, e cila është duke ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë politik, në një intervistë për “Kohën Ditore” ka paralajmëruar se më 17 janar 2013, në takimin e parë në vitin e ri mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, do të flitet për veriun e Kosovës.

E pyetur se cilat tema do të jenë në tryezë të dialogut në takimin e radhës më 17 janar, Ashton është përgjigjur: “Do të takohemi për të shqyrtuar progresin e arritur, posaçërisht rreth implementimit të IBM-së, dhe, siç jemi marrë vesh, më 4 dhjetor ne do të diskutojmë edhe për veriun e Kosovës“.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së po ashtu, duke hedhur poshtë edhe një herë mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe duke thënë se “ndarja nuk është opsion”, e ka quajtur situatën e tashme në veri të Kosovës si “të paqëndrueshme”.

Lidhur me mundësinë që Ramush Haradinaj të bëhet kryeministër dhe çfarë ndikimi do të kishte kjo në dialog, Ashton ka thënë: “Nuk më takon mua të komentoj për zhvillimet në politikën e brendshme në Beograd apo Prishtinë. Krejt çfarë pres unë nga Beogradi dhe Prishtina është që të mbeten fuqishëm të përkushtuar për dialogun”.