Banorët e disa pallateve në lagjen nr.5 të Durrësit kanë protestuar sërish para bashkisë, pasi më shumë se 3 vite pas tërmetit nuk dinë asgjë se çdo të bëhet me pallatet e tyre.

Përgjigja nga institucioni i qeverisjes vendore nuk ka ardhur, pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të tyre.

Bashkia nuk merr asnjë lloj kontakti me ne. Kjo kryetare nuk pranon asnjë lloj bisede me ne”,- thotë një banor.

“Ne shkojmë pyesim çfarë vendimi ka për pallatin tonë, nuk na japin asnjë shpjegim. Të paktën të na japim një vendim”,- shton një qytetare.

“I jemi drejtuar disa herë me shkrim bashkisë, por përgjigja ka qenë përherë nul”.

Por nëse besimi u ka humbur tek bashkia, ata janë të bindur se kryeministri Rama do u japë zgjidhjen e shumëdëshiruar prej tyre, rindërtimin në po të njëjtin vend të pallateve të dëmtuara.

“Besoj se kryeministri do ta mbajë fjalën, do t’i ndërtojë pallatet në po të njëjtin truall”.

“Nëse i merr vesh vetë kryeministri këtë çështje mund të bëjë diçka. Se për këta të tjerët ne jemi të vdekur, as duan të dinë nëse janë njerëzit gjallë apo jo”.

Ashtu si edhe në protestat e kaluara, banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit vazhdojnë të refuzojnë të sistemohen në sitin e pallateve të reja në Spitallë, ku po ndërtohen 1000 apartamente për të pastrehët e lëkundjes sizmike.

Të mbetur pa shtëpi prej 4 vitesh, ata kërkojnë që shteti t’u japë mbrapsht pronën e tyre.

“Ne flejmë vend e pa vend, janë bërë rrobat tona si rroba arrixhinjsh. Ata rrinë me të gjitha kushtet dhe s’duan të dinë për këtë popull”.

“Nuk do të shkojmë në Spitallë sepse ato banesa që po rindërtohen atje bashkia i jep pa çertifikatë pronësie. Ne kërkojmë të drejtën e pronës sonë”.

“As ekspertizë, asgjë nuk është bërë për pallatin tonë. Pse të dënohemi ne dhe mos të dënohet ai që ka faj”,- thotë i indinjuar një nga protestuesit.

M.B.