Me 20 vite burg është dënuar ditën e sotme nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Ergys Kolaveri, si autor i atentatit me snajper në burgun e Vaqarrit në korrik të 2016-së.

Edhe pse prokuroria kishte kërkuar 30 vite burg për Kolaverin, ka qenë Gjykata e cila e ka dënuar atë me 20 vite burg, për atentatin e dështuar.

Në 30 korrik të 2016-së, një atentat me snajper iu bë Gazmir Daçit në ambientet e brendshme të burgut të Vaqarrit. Gazmir Daçi ishte duke dalë në ambientet e jashtme, kur është qëlluar me snajper nga një kodër aty pranë.

Plumbi nuk ka kapur Gazmir Daçin, por një të dënuar nga Kosova. Sipas Prokurorisë Kolaveri ishte i pajisur me një armë të sofistikuar snajper dhe ishte vendosur në një distancë të largët në ambientet e jashtme të burgut dhe priti derisa Gazmir Daci doli në ajrim për ta qëlluar.

Prokuroria thotë se ka qenë Ergys Kolaveri I cili bëri atentatin që nuk doli i suksesshëm, për motive hakmarrje. Kjo për faktin se Gazmir Daçi ka vrarë Gazmir Kolaverin dhe ka plagosur Robert Kolaverin, të dy vëllezër të Ergys Kolaverit.