Mbrojtësi Arsid Kruja e mbylli javën e 27-të me një eurogol në minutën e 27-të dhe u siguroi të tijve një pikë ndaj Egnatias. Një faull të fituar nga Arifi, në zonën e 20 metrave, e Kruja me stilin e një sulmuesi, arriti të gjuajë bukur dhe të shtangë portierin kundërshtar. Kruja thotë, se ndaj Bylisit do të jetë një ndeshje e vështirë. Gjithsesi, shkodrani ka besim tek ekipi i tij, se do të bëjë më të mirën dhe do të arrijë te rezultati pozitiv në këtë premierë të fazës së katërt.
A jeni i kënaqur me pikën e marrë dhe me lojën e zhvilluar?
Një pikë me Egnatian është një sinjal i mirë për ne, sepse kemi filluar të ndryshojmë. Kjo pikë, te Teuta do të sjellë ndryshime pozitive. Ekipi ka bërë një lojë të mirë, por mund të kishim bërë edhe më shumë. Për gabimet tona, kemi humbur pikë, por në dy takimet e fundit kemi bërë mirë. Mendoj se kjo pikë ndikon në rritjen tonë psikologjike.
Si do t’i vlerësoni deri tani, tri fazat e para dhe gjendjen e skuadrës?
Mund të them me bindje të plotë, se në 27 javë të luajtura, kemi bërë deri diku mirë. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe kemi marrë pikë të rëndësishme. Ndërkohë, po stërvitemi me ngarkesë të plotë dhe natyrisht që jemi gati të bëjmë maksimumin në këto 8 javë të mbetura.
Çfarë prisni nga dueli me Bylisin?
E dimë që është e vështirë. Sa i përket ndeshjes me Bylisin, duam ta vijojmë me rezultate optimale. Çdo ndeshje është histori më vete. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje të mirë. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për ndeshjen e parë të fazës se 4-t dhe, siç e thatë edhe ju, nuk është e lehtë.
Keni presion për të marrë pikët e plota ndaj Bylisit?
Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion. Por ne, edhe pse kështu, kërkojmë maksimumin në secilën nga sfidat. Jemi të qetë. Kur ke presion, shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur dhe aspak presion. Jemi një grup i ri lojtarësh, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion.
Shënuat një eurogol, është kjo arsyeja që provoni disa herë në stërvitje goditjet e dënimit?
(Qesh) Kam disa javë që e kërkoj golin dhe është e vërtetë që në stërvitje provoj shumë herë të godas portën. Jam shumë i gëzuar për golin dhe ecurinë e ekipit. Shpresoj të shënojmë gola të bukur, por më e rëndësishme është të vazhdojmë me rezultate pozitive.