Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sëbashku me kandidatin e PD-së për bashkinë Durrës në zgjedhjet e 6 marsit, Luan Hoti po zhvillojnë ditën e sotme një takim me përfaqësues të biznesit durrsak.

Takimi po mbahet në ambientet e Dhomës së Tregtisë në Durrës.

Basha është shprehur se qyteti bregdetar ndodhet në një gjendje të vështirë ekonomike dhe kjo sipas tij ka ardhur nga keq-qeverisja lokale apo qendrore.

Kemi të bëjmë me modelin e vjetër. Boll më me modelin e vjetër. Unë nuk po them qe ta nisim me vitin zero, pasi në këto 30 vite ka pasur zhvillime, por ka pasur dhe gabime. Ka ardhur koha që këto gabime t’i ndreqim, me një politikë me fytyrë njerëzore. Siç është Hoti. Politika ulet në gjunjë para popullit. Do bëjmë të mundur qeverisje me taksa të ulëta, por me miradministrim. Dua ta nis me diçka që është bërë legjendë këto 3 muaj. Projekti i portit të Durrësit. Një nga arsyet kryesore se pse sharlatanët ecin në politikë, jo vetëm në Shqipëri, është se i bëjnë njerëzit që mos të logjikojnë, mos të arrijnë të mendojnë. I ushqejnë si fëmijët e çerdhes, që i fut lugën në gojë. Fëmija e hap gojën dhe nuk logjikojnë. Ajo pjesa që ne kemi pakt për portin e Durrësit, është gënjeshtër. Ne e konsiderojmë një aferë. Pse? Se jemi kundër investimit? Jo! Por ka një ndryshim. PD është pro zhvillimit, pro vendeve të punës. Por që të bëhet kjo, kjo punë nuk bëhet me sheikë. Ashtu thanë se do bëhej dhe në qendër të Tiranës, Kulla Al Habibi, pasi ishte gënjeshtër elektorale. Tani erdhi ky sheiku tjetër, po kjo nuk është tokë pa zot. Projekti duhet të jetë i qartë, i shpalosur, i diskutuar dhe jo thjesht i vendosur te Nusreti i Dubait apo te Zuma e Dubait. Ne nuk jemi kundër zhvillimit të vendit, të Durrësit. Jemi kundër 3D-ve që na shiten si zhvillim dhe fshehin mungesën totale të transparencës. Jemi pro zhvillimit.”, tha Basha.