Bashkia e Durrësit ka hapur një konkurim me qëllim nxitjen e aktiviteteve artistike, sportive dhe promovimit të pasurisë kulturore të qytetit. Në një postim të kryetares së bashkisë Durrës Emiriana Sako thuhet se: “Po punojmë për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për kulturën, me synimin e përmirësimit të cilësisë së veprave artistike, zhvillimit të skenës artistike të pavarur, dhe lehtësimit të aksesit në burimet e reja të financimit”.

Thirrja për aplikimin e projekteve kulturore ka për qëllim mbështetjen e projekteve që realizohen brenda territorit të Bashkisë Durrës, përfshirë festivale, inovacione teknologjike për promovimin e trashëgimisë kulturore, promovimin e sportit dhe aktivitetet sportive, në sektorin e industrive krijuese, publikime që lidhen me pasurinë kulturore të Durrësit dhe shumë të tjera.

Projektet e pranuara duhet të zbatohen në vitin buxhetor 2025.

Periudha e aplikimit për projektet vijon deri më 25 shkurt 2025.

Aplikimet mund të dorëzohen në formën e printuar pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Bashkisë Durrës ose në adresën e emailit: [email protected]