Bashkia Durrës njofton zhvillimin e një tjetër shorteu publik për ndarjen e apartamenteve në pallatet e reja që po ndërtohen në Manzë në kuadër të procesit të rindërtimit.

Në një njoftim në faqen zyrtare, institucioni i qeverisjes vendore bën të ditur se shorteu do të mbahet më datë 27 janar, në ambientet e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, në orën 10.00.

“Mosparaqitja në këtë shorte e personave përfitues i heq të drejtën e ankimimit apo pretendimeve lidhur me rezultatet e këtij shorteu publik. Personat përfitues në pamundësi për të qenë pjesemarrës në këtë shorte publik mund të përfaqësohen me prokure”,- njofton bashkia.

Ky është shorteu i dytë publik që zhvillohet për ndarjen e apartamenteve në pallatet që po ndërtohen në Njësinë Administrative Manzë.

Shorteu i parë u zhvillua më datë 15 nëntor gjatë të cilit u ndanë 42 apartamentet e para, të cilat ende nuk u janë dorëzuar përfituesve.

Pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit, qeveria Rama shpalli me një VKM të posaçme zonën e re për zhvillim në Manzë, ku po ndërtohen 9 banesa kolektive 5 dhe 6 katëshe, ku do të sistemohen rreth 226 familje.

Siti i ri në Manzë përveç njësive të banimit do të ketë zona parkimi, objekte shërbimi, qendër shëndetësore, qendër multifunksionale, kopësht dhe fusha sportive.

Njoftimi i plotë i bashkisë:

Në mbështetje të Ligjit 139/2015 ’’Për vetëqeverisjen vendore’’, Aktit Normativ nr. 9, datë 16.12.2019 të Këshillit të Ministrave, ‘’’Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore’’, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 592, datë 13.10.2021 Për disa shtesa në vendimin nr. 904, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Përcaktimin e rregullave, të kategorive prioritare, masës së përfitimit, autoriteteve përgjegjëse dhe procedurave për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga disa programe të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, Vendimit të Këshillit Bashkiak Durrës nr. 138, datë 28.10.2021, ’’Për miratimin e Regullores për procedurat e zhvillimit të shorteut manual në bashkinë Durrës në kuadër të rindërtimit’’, 

Bashkia e Durrësit njofton përfituesit nga programi i rindërtimit se shorteu publik me objekt shpërndarjen / caktimin, midis përfituesve nga procesi i rindërtimit, të banesave kolektive me seksion A-1 dhe B-3 të ndërtuara në Zonën e Re për Zhvillim Manëz do të zhvillohet më datë 27.01.2022 në ambientet e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, duke filluar nga ora 10:00.

Mosparaqitja në këtë shorte e personave përfitues i heq të drejtën e ankimimit apo pretendimeve lidhur me rezultatet e këtij shorteu publik.

Personat përfitues në pamundësi për të qenë pjesmarrës në këtë shorte publik mund të përfaqësohen me prokurë. Në këto raste zbatohen dispozitat ligjore të përfaqësimit.