Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka reaguar pas raportimeve të publikuara në media lidhur me problematikat në projektin “Durrës Marina”, duke konfirmuar se dy prej objekteve kanë pësuar ulje strukturore.

Sipas deklaratës zyrtare, pas verifikimeve në terren nga një grup i posaçëm inspektimi me përfaqësues të IKMT, AZHT, IMT Durrës dhe Institutit të Ndërtimit, rezultoi se, objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 cm, ndërsa objekti 04 ka pësuar ulje prej 18 cm.

IKMT bën me dije se i është kërkuar kompanisë zbatuese marrja e menjëhershme e masave teknike për përforcimin e strukturave, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së objekteve.

Sipas institucionit, projektet e përforcimit do të duhet të miratohen nga autoritetet përgjegjëse përpara nisjes së zbatimit.

Në fund të deklaratës, IKMT thekson se do të vijojë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe kushteve teknike në kantieret e ndërtimit.

Deklarat e plotë:

DEKLARATË

Në përgjigje të raportimeve të publikuara javët e fundit në media mbi problematika që lidhen me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) sqaron sa vijon:

Në zbatim të përcaktimeve ligjore dhe detyrave funksionale, me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi i kontrollit përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit (specialist të fushës).

Verifikimi u krye në lidhje me zbatimin e lejes së ndërtimit nr. 2349/12 prot., datë 10.09.2023, miratuar me Vendimin nr. 34, datë 01.08.2023, të KKT-së, për objektet: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, aktualisht në fazën ndërtimore të sistemimeve të jashtme.

Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:

Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm;

Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.

Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.

Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.

Duke falënderuar median për bashkëpunimin dhe kontributin e saj, IKMT garanton se në kordinim me institucionet e tjera shtetërore sipas fushës së përgjegjësisë, mbetet maksimalisht e angazhuar dhe do të mbikëqyrë në vijimësi zbatimin e përcaktimeve ligjore në kantieret e ndërtimit.