Zvicerani i famshëm Eugene Pittard rikthehet në Durrës, pas më shumë se 1 shekulli, këtë herë jo fizikisht, por përmes galerisë së larmishme të fotove, që ai ka realizuar në Shqipërinë e vitit 1921.

Pas një ndalese të suksesshme në Shkodër, ekspozita “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard” është zhvendosur në bregdet, duke sjellë të njëjtin udhëtim unik fotografik për artdashësit durrsakë.

Në vitet 1921 dhe 1924, çifti Eugène dhe Hélène Pittard udhëtuan nëpër Shqipëri duke kapur në celuloid jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, njerëzit dhe peizazhet e paprekura.

Elton Koritari, kurator i ekspozitës fotografike, tha se ishte detyrim ta sillnin këtë ekspozitë në Durrës, qytet nga ku fotografi i famshëm nisi udhëtimin e tij.  

Ekspozita në fjalë u mundësua falë bashkëpunimit të FotoKlub Durrës dhe Ambasadës së Zvicrës në Tiranë.

“Është kënaqësi që jemi në Durrës për ekspozitën e dy fotografëve zvicerianë. Ata kanë një kontribut të rëndësishëm për Shqipërinë dhe lidhjen midis dy vendeve tona. Pitard ishte humanist dhe atropolog dhe ka një kontribut të shkëlqyer dhe besoj se me anë të objektivit të tij ai solli jetën e shqiptarëve për atë kohë”,– tha ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber.

Hapja e kësaj ekspozite është një tjetër aktivitet kulturor, që Fotoklub Durrës sjell për qytetin, në këtë vit të parë të themelimit të tij. Një tjetër ekspozitë e rëndësishme është në planet e afërta të FotoKlubit.

“Kjo është një pasqyrë shumë e bukur, që ne përmes FotoKlubit të bëjmë që Durrësi të shkëlqejë”,- tha drejtuesi i klubit të fotografëve durrsakë, Palush Jorgji.

Që nga krijimet e tij, FotoKlub Durrës ka pasur qëllim të qartë, të ruajë dhe të promovojë thesaret e fshehura të memories sonë kolektive. Në planet tona të afërta është realizimi i një ekspozite kushtuar ekskluzivisht Durrësit të viteve 1900- 1990. Durrësi si një qytet antik me rrënjë të thella mbart në vetvete jo vetëm histori arkeologjike, por edhe një trashëgimi të pasur të familjeve të fotografëve, që kanë dokumentuar shpirtin e këtij qyteti për dekada”,– tha anëtarja e bordit të FotoKlub Durrës, Fatmira Prodani.

Kjo ekspozitë ofron një vështrim të rrallë mbi vendin, parë nga sytë e akademikut të njohur zviceran dhe një miku të madh të Shqipërisë. Vepra e tij fotografike prezantohet për herë të parë në materiale të shtypura dhe si përvojë digjitale për publikun, si pjesë e një trashëgimie të përbashkët zvicerano-shqiptare.

M.B.