Bashkia Durrës po planifikon ndërhyrjen në rrugën “Aleksandër Goga” në segmentin nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri tek Spitali Rajonal i qytetit.

Për këtë arsye, bashkia ka hapur procedurën tenderuese për përzgjedhjen e firmës që do të hartojë projektin e rehabilitimit për këtë aks rrugor, një ndër më të rëndësishmit në qytet.

Në dispozicion të kompanive të interesuara është fondi 4.166.660 lekë.

Bashkia i rekomandon kompanisë që do të fitojë tenderin që në hartimin e projektit të ketë parasysh ndërtimin e një rrethrrotullimi pranë Muzeut të Dëshmorëve, një korsie bicikletash si dhe rivitalizimi i fasadave të ndërtesave të shtrira përgjate rrugës nëse do të jetë e mundur.

Data e fundit për dorëzimin e dokumentacionit nga ana e kompanive të interesuara është 20 maj.

Rruga “Aleksandër Goga” është segmenti që lidh Sheshin Liria e vazhdon deri në Porto-Romano. Segmenti nga sheshi “Liria” deri tek Muzeu i Dëshmorëve u rikonstruktua dy vitet e fundit.

M.B.