Teuta ka humbur në Durrës ndaj ekipit të Tiranës me vetëm një pikë diferencë në një ndeshje mjaft të luftuar dhe të ekuilibruar perioda e parë dhe e dytë flasin më mirë për Tiranën që ka arritur t’i fitojë të dyja periodat 18-24 dhe 15-17.
Perioda e tretë ka folur thuajse tërësisht për durrsakët që mobilizohen, gabojnë më pak dhe janë të saktë në gjuajtjet e tyre, kjo periodë sjell ndeshjen ne ekuilibër dhe durrsakët e fitojnë atë 28-15. Në këtë moment Teuta udhëheq 61-56 dhe perioda e katërt është një luftë e vërtetë sportive por janë tiranasit që fitojnë në fund këtë periodë 17-23 dhe krejt takimin 78-79 në një ndeshje ku nuk munguan polemikat.
Ekipi i Teutës ka reaguar pas kësaj humbje me një deklaratë në faqen e vet zyrtare ku thekson se kjo është një tjetër humbje që shkaktohet nga gabimet në arbitrim.
Ja njoftimi i plotë:
“Një tjetër humbje me një pikë për ekipin tonë, që penalizohet për të disatën herë këtë sezon dhe për të dytën herë brenda javës nga gabimet në arbitrim, që nuk e dimë nëse janë të qëllimshme apo mungesë aftësie. Të njëjtët arbitra, që drejtuan ndeshjen ndaj Besëlidhjes dhe u kritikuan për arbitrim nën nivel nga zyrtarë të FSHB, bëhen pjesë edhe e këtij takimi, duke ndikuar sërish në mënyrë të dukshme në rrjedhën e lojës. Pavarësisht këtyre sfidave, ekipi tregoi luftë, zemër dhe dëshirë për fitore deri në sekondat e fundit. Vazhdojmë të punojmë dhe të qëndrojmë të fokusuar drejt qëllimeve tona!”