BE anuloi sot grantin prej 28 milionë eurosh, që ishte vënë në dispozicion nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rikonstruksionin e Kalatave 1 & 2, në Terminalin Perëndimor të Portit.

Për kreun e degës lokale të Partisë Demokratike Durrës, Igli Cara, ky “është një lajm i keq për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë një sinjal i qartë për Ramën“.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Cara thotë ndër të tjera se “mungesa e transparencës dhe faktet e dala në dritë kanë krijuar një hendek të pakapërcyeshëm, për Ramën i cili është zënë mat!”

Postimi i plotë:

28 milionë euro më pak investime për portin e Durrësit. Anulimi i grantit nga BE është një lajm i keq për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë një sinjal i qartë për Ramën, i cili vazhdon të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk kupton.
Hapi i bërë pas nga BE është si trokitja në prag që të dëgjojë dera.
Duke shprehur qartë shqetësimin dhe mosdakordësinë, për projektin e portit të Durrësit që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, BE nuk lë hapësirë për interpretime.
Mungesa e transparencës dhe faktet e dala në dritë kanë krijuar një hendek të pakapërcyeshëm, për Ramën i cili është zënë mat!
Sido të shkojë është i humbur!
Porti është dhe do të mbetet pasuri e patjetërsueshme kombëtare!