Bashkimi Europian përmes Komunitetit të Transportit vlerësoi së fundmi se, Porti i Durrësit në Shqipëri dhe Porti i Tivarit në Malin e Zi kanë rëndësi strategjike për transportin detar në rajon pasi e lidhin atë me rrjetin kryesor Europian të transportit.

Në rishikimin e fundit të planit Rajonal të Transportit, Bashkimi Europian vuri në dukje se, Shqipëria do të zhvendosë shërbimet e përpunimit të mallrave nga portet e Durrësit dhe Vlorës, por ndërkohë vlerësoi se është e rëndësishme që vendndodhjet të kenë lidhje hekurudhore dhe rrugore.

“Për sa i përket Porteve Detare të Rrjetit Kryesor Europian (TEN-T) Ballkani Perëndimor, ka dy porte detare, përkatësisht Porti i Tivarit në Mal të Zi” thuhet në analizën e Komunitetit të transportit.

Por përveç këtyre, porti i Vlorës në Shqipëri është përcaktuar si i vetmi port detar gjithëpërfshirës i rrjetit të zgjeruar TEN-T në Ballkanin Perëndimor.

BE vë në dukje se, komponentët e infrastrukturës së transportit detar janë përcaktuar në nenin 20 të Rregullores TEN-T, ndërsa nenet 22 dhe 23 përcaktojnë kërkesat e infrastrukturës së transportit detar dhe prioritetet për zhvillimin e infrastrukturës.

Komponentët e infrastrukturës që lidhen me transportin detar përbëhen nga

hapësira detare, kanalet detare, kalatat duke përfshirë infrastrukturën e nevojshme për operacionet e transportit brenda zonës së portit, lidhja e porteve me mënyra të tjera në rrjetin e transportit trans-evropian, diga, etj.

Kërkesat për infrastrukturën e transportit detar sipas Rregullores TEN-T duhet të sigurojë që portet detare të lidhen me linja hekurudhore, linja rrugore, me rrugë ujore të brendshme, përveç rasteve kur kufizimet fizike e pengojnë një lidhje të tillë.

Në raportin vjetor të TEN-T, BE vlerësoi se portet detare në Ballkanin Perëndimor u vlerësuan në pajtueshmëri me kërkesat kryesore infrastrukturore të përcaktuar nga rregullorja TEN-T.

Mospërputhja për Portin e Durrësi i referohet lidhjes së pjesshme hekurudhore, pasi aktualisht vetëm terminali i portit lindor është i lidhur me rrjeti hekurudhor kombëtar, pra dimensioni multimodal i tij për momentin është shumë i kufizuar.

Porti i Durrësit është aktualisht në përputhje me rregulloren e TENT për lidhjen rrugore. Lidhja me rrugët ujore të brendshme nuk është ende e aplikueshme për Portin e Durrësit.

BE thekson se, lidhur me portet e Durrësit dhe Vlorës në Shqipëri, autoritet vendase kanë vendosur që të dy portet ë shndërrohen në marina të mëdha moderne.

Porti aktual tregtar do të transferohet në Portin e Integruar Tregtar i Durrësit ne Porto Romano (9 km në VP të Durrësit) dhe Porti aktual i Vlorës do të transferohet në Portin e integruar Tregtar të Triportit, Vlorë (11 km në veri të Vlorës)./Monitor.al/