Belind Këlliçi i cili garon për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit tha se brenda dy ditëve do të bëjë adresimin e një prej problemeve më të mëdha të kryeqytetit.

I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania ai tha se Tirana nuk e ka luksin të ketë apartamente fantazmë dhe një stok prej 40.000 apartamentesh të pashitura, siç ka aktualisht e për të cilat Këlliçi akuzon kryebashkiakun aktual Veliaj.

“Në ditët në vijim në mos nesër pasnesër do të bëj publike një masë që do të lidhet drejtpërdrejtë me apartamentet vakante në Tiranë.

Kur kryetari aktual i bashkisë u zgjodh kryetar bashkie në 2015, ka deklaruar se ishte kundër ndërtimit sepse ishte një stok prej 8000 apartamentesh, që pa u shitur një herë këto ai nuk do të jepte leje ndërtimi.

Sot e dimë ai ka dhënë  6.1 milionë leje ndërtimi beton dhe stoku ka vajtur nga 8.000 në 40.000. për këtë unë pa diskutim do të ndërmarr një masë që do ta bëj publike, në mos nesër të premten, sepse dua të jem shumë korrekt me atë masë që dua të marrë.

Tirana nuk e ka luksin të ketë apartamente fantazmë, një stok kaq të madh apartamentesh të pabanuara dhe të vazhdojnë të jepen leje”, tha Belind Këlliçi.