Vetëm pak orë pasi Edi Rama mblodhi Grupin Parlamentar të PS, Sali Berisha mboldhi Këshillin Kombëtar. Në këtë mbledhje Berisha u shfaq duke ironizuar takimin e Kryeministrit, si një mbledhje e Byrosë Politike të Komitetit Qendror.

“Një fjalim copy-paste me atë që mbante Ramiz Alia kur drejtësia e Sigurimit të Shtetit filloi t’i dalë nga duart”, tha Berisha. Berisha foli për pazare të mbyllura mes kryeministrit dhe kreut të SPAK-ut, ku çmimi që duhej paguar sipas tij ishte “koka” e Erjon Veliajt.

“Erion Veliaj ishte çmimi që u pagua për Olsin. Çfarë i tha ai Altinit? Ore i tha, po e kape këtë, unë jap dorëheqjen dhe vjen Berisha. Po unë do vij, nuk ka gjë që më pengon mua. Mori fund”, u shpreh Berisha.

Megjithatë, Berisha u shpreh i gatshëm edhe njëherë për një reformë të pavarur në drejtësi, me sytë edhe kësaj radhe nga ndërkombëtarët. Lidhur me akuzat e ngritura nga Kryeministri në adresë të gjyqtarit që mori vendimin për arrestimin e Veliajt, Sali Berisha mohoi çdo njohje me të.

“Nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë. Ai dhe çdo gjykatës si ai, çdo qytetar si ai, duhet të ndjehet krenar me të shkuarën e tij se nuk është bir xhelati si Edi Rama”, tha Berisha. Pa ironizuar nuk la edhe qytetarin dixhital që i dërgoi SMS kreut të qeverisë, duke publikuar dhe emrat që tha se fshiheshin pas tij.

“Irena dhe Ulsiu. Lexonte këtu dhe sytë i kishte tek Ulsiu”, u shpreh Berisha. Akuzat për skenarë e pazare, Berisha i vijoi me komplotistë e përgjime, ku kësaj radhe në shënjestër vuri numrin dy të qeverisë.

“Është zhdukur nga radari. A e dini ju që ai Bistri kishte vendosur sistemin e regjistrimit të kundërshtarëve, armiq të Belindës? Absolutisht po. Midis të tjerësh ishte Erioni dhe Jolka”, tha Berisha. Edi Ramën e etiketon si kreun e narkoshtetit, teksa i numëroi aferat që sipas Berishës ka përfituar nga miqtë e tij biznesmenë.

Ashpër dënoi mosveprimin e policisë, teksa foli për të armatosur në mitingun para SPAK-ut. “Kjo është haptazi inkurajim për pushtim ndërtese. Punonjësit e bashkisë që protestuan te Skapi i partisë ishin të armatosur”, tha Berisha.

Me të njëjtën gjuhë dënoi edhe një tjetër sulm që sipas tij i është bërë aleatit të tij që ndodhet para hekurave. “Dënoj sulmin që i është bërë Metës, akt banditesk”, tha Berisha. Kryeministrit i kërkoi të japë dorëheqjen, ndërsa e paralajmëroi se do të publikojë çdo dokument që kompromenton atë dhe qeverisjen e tij në afera korruptive.