Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët e zonës së Astirit në Tiranë, premtoi se nëse PD vjen në qeveri, kjo lagje do të ketë infrastrukturën më moderne në vend.

Berisha vlerësoi rezistencën e banorëve për mbrojtjen e banesave të tyre, duke e cilësuar këtë si një betejë qytetare me mafien dhe krimin, që ka thyer rekorde europiane. Ai akuzoi qeverinë aktuale për neglizhencë dhe urrejtje ndaj kësaj zone, duke theksuar se mungesa e kopshteve, çerdheve dhe shërbimeve bazë tregon për një qasje çnjerëzore ndaj qytetarëve.

“Në projektin e qeverisë së ardhshme, adresimi me urgjencë i të gjitha problemeve të krijuara nga urrejtja dhe injorimi i kësaj zone do të jetë prioritet absolut,” u shpreh Berisha.

Ai premtoi ndërtimin e një infrastrukture arsimore, shëndetësore dhe rrugore moderne dhe theksoi se situata në spitalet shqiptare, ku qytetarët lihen pa ilaçe, do të marrë fund brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re.

“Garantoj çdo të sëmurë në këtë vend se nuk do t’u mungojnë më ilaçet. Edhe sikur të mos kishim, do shisnim stolitë e grave tona për t’ju mjekuar – por nuk do ketë nevojë për këtë, sepse fondet ekzistojnë. Problemi është mungesa e shpirtit dhe dhembshurisë tek ata që qeverisin,” u shpreh ai.