Nga foltorja e Parlamentit, kryedemokrati Sali Berisha ka folur për ngjarjet kriminale të ditëve të fundit që kanë tronditur vendin.

Përgjegjës për krimet e ndodhura, kryetari i PD-së, Berisha ka bërë kryeministrin Rama dhe qeverinë që ai drejton, të cilin e ka quajtur “krimministër”.

Sali Berisha: Nuk është këtu ai ministri i familjes. Për 4 ditë, 4 të vrarë, nën moton “Kokën njëri-tjetrit”, nën moton “Licencë për vrasje”, nën moton “Rendi në duart e krimit”, nën moton “Policia nuk ekziston”. Kjo është siguria dhe këto janë kushtet të kalkulueshme për largimin e shqiptarëve. Edhe kjo është pjesë e platformës së genocidit shqiptar. Një kryeministër që sulmon me tërbim mediat me tritol, me dinamit dhe që inkurajon breshëritë ndaj mediave të tjera me qëndrimet e tjera është krimministër dhe në kulmin e këtyre vrasjeve, prisni kur të deklarojë se “rendi sot është më i mirë se kurrë në histori”. Keni humbur përgjegjësinë më minimale.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha u shpreh se zbulimet për aferën Rama-McGonigal e bëjnë emergjente ngritjen e komisionit hetimor.

Sali Berisha: Tek po lexoj këtë fjalë para jush, më vijnë lajme se gjykata në Nju Jork ka bërë zbulime tronditëse për veprimtarinë e McGonigal, lidhjet e tij me Edi Ramën. Është vendosur që gjykata të konfiskojë të gjitha pasuritë e McGonigal kudo që ndodhen. Themi se është jetike komisioni hetimor parlamentar për të zbuluar pasuritë e McGonigal në Shqipëri, të cilat i vendosi me Ramën, Duçkën dhe Nezën. Afera McGonigal do e ndjekë Ramën deri në ditën e fundit të ekzistencës së tij. McGonigal ishte një tradhtar i vendit të tij. Në këtë kontekst, një hije e zezë bie mbi të gjithë ju, jo se ju keni afera personale me McGonigal, por se njeriu që ju mbështesni është korruptori dhe skllavi i tij. Drejtësia amerikane çdo ditë po gjen dhe zbulon fakte të reja. Ne këto do ngremë komision hetimor parlamentar për të zbuluar fakte të reja, me të cilat Edi Rama del fund e krye i inkriminuar. A mund të imagjinoni ju që Duçka, këshilltari privat i Rramës, të vërë gjoba, të denoncohet dhe të mos lëvizë drejtësia e kontrolluar shqiptare as edhe një gjë më të vogël. Jeni të zhytur në shkallën më të thellë në këtë aferë. Ndaj është emergjente ngritja e komisionit për të hetuar aferën Rama-McGonigal.

Teksa në Kuvend diskutohet për Entin Rregullator të Ujit, Berisha nga Kuvendiju ka thënë mazhorancës se po miratojnë një ligj ndëshkues për profesionet e lira që sipas tij, do nxitet shpopullimi nga shtresa e mesme.

Sali Berisha: Kjo seancë kushtuar ujit është një turbullirë e vërtetë. E përdor ujin si një mjet ndëshkimi ndaj qytetarëve. Në aktin e parë, ia rritën çmimin me 40 përqind, në një kohë kur Shqipëria në rajon, është vendi më i pasur me ujëra. Në ligj dhe moral, ujit duhet të shkojnë duke ia ulur çmimin deri në dhënien falas, për shkak të rezervave natyrore që kemi. Ju e rritët çmimin me pretendimin se duhet të garantojmë ujë 24 orë. Por Ujësjellësi i Tiranës garanton humbje 62 përqind sipas raportit të Entit Rregullator të Ujërave. I Durrësit, për të cilin u investua një kredi shumë e madhe e Bankës Botërore, ka humbje sot 71 përqind. Ju i dërguat drejt falimentimit të vërtetë këto sipërmarrje të mëdha.Por në kuadrin e të këqijave që mbillni çdo ditë në këtë vend, kjo është një e keqe që po harrohet, në kuptimin se ju kaloni sot një ligj ndëshkues për profesionet e lira. Një ligj që krijon kushte të kalkulueshme për shpopullimin e Shqipërisë. Krijimi i kushteve të kalkulueshme vlerësohet nga OKB si akt gjenocidal. Keni përzënë në 8 vite 35 përqind të shqiptarëve, por ju nuk jeni të ngopur. I jepni goditje fatale edhe shtresës së mesme, ekzistenca e të cilës është jetike për Shqipërinë. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë jetike për stomatologun, kontabilistin, avokatin, pra për të gjithë ata që quhen profesione të lira. Ju me një të rënë të lapsit, doni t’i përzini ata nga Shqipëria. Unë dënoj miratimin e këtij ligji si një ligj që krijon kushte të kalkulueshme për largimin e ekspertëve nga Shqipëria dhe shkatërrimin e shtresës së mesme, shtresë që nuk u përshtatet, nuk ndjek politikat tuaja, përkundrazi ajo i denoncon çdo ditë ato.