Besimtarët e krishterë në të gjithë botën festojnë sot Krishtlindjet. Ashtu si çdo vit,  mijëra besimtarë katolikë janë mbledhur në mesnatë në katedralen e Shën Palit në kryeqytet, për të kremtuar Krishtlindjet.

Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u mbajt nga arkipeshkvi katolik Imzot Rrok Mirdita, i cili uroi besimtatrët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe afrimitet me njëri-tjetrin, duke vlerësuar Krishtlindjen si ngjarjen më të rëndësishme.

Edhe në kishën Orthodokse, është kremtuar Lindja e Krishtit. Në meshën e mbajtur nga kryepeshkopi Anastas, besimtarët ortodoks janë lutur në emër të Krishtit.

Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë.

Sipas Biblës, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August.

Lindja e Jezu Krishtit kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore.

Krishtlindjet në botë

Festa e Krishlindjeve kremtohet prej disa shekujsh në të gjithë botën, ndërsa mënyrat kanë qenë nga më të ndryshmet, sikundër janë edhe inmterpretimet që në kohët e lashta për këtë festë.

Në Persinë antike, solstici i dimrit celebronte duke kënduar himnin që tregonte lindjen e botës. Në Aleksandri ajo pati shprehjen më të plotë, para epokës kristiane, në festën e madhe të lindjes së Horus.

Në Romën pagane të njëjtën domethënie kishin festat e dimrit që celebroheshin dy ose tre shekuj para lindjes së Krishtit, të njohura me emrin Saturnali ose festat e Saturnit. Saturnalet romake kishin filluar më 19 dhjetor dhe zgjateshin deri më 25 dhjetor. Ishin festa gëzimi, ripërtëritjeje, shprese për të ardhmen dhe në këtë rast ribëheshin kontratat bujqësore. Në Romë, nga vitet 243 e 366 pas Krishtit, miq dhe kushërinj shkëmbenin urimet e para për të festuar “dies natalis” (ditën e lindjes së Krishtit) në një natë të ftohtë dimri.

Urimet shoqëroheshin me shporta frutash, ëmbëlsirash dhe dhuratash të çfardolloj tipi sepse lindja e Jezusit dhe përvjetori i ngjitjes në fron të perandorit bëheshin simboli i një begatie që duhet të kishte vashduar për të gjithë vitin. Rreth 1800 ky rit gjeti personifikimin e tij në një plak të fortë me mjekër të bardhë, rezident në Polin e Veriut, që i ndihmuar nga “gnomi”(personazh përrallash) të shumtë, bënte lojëra për t i shpërndarë si dhurata në natën e Krishtlindjeve, me ndihmën e një slite të tërhequr nga drerë fluturues dhe duke kaluar nga oxhaqet e shtëpive.

Personazhi i vërtetë që u vesh me magji. Bëhet fjalë për Shën Nikollën. Lindur në Patara, në Turqi, nga një familje e pasur, në shekullin e IV u bë peshkop i Myra-s dhe mori pjesë në Koncilion e Niceas në vitin 325. Kur vdiq, eshtrat e tij u vendosën në Myra, deri në 1087 kur u morën nga një grup kavaljerësh italianë të hequr si tregtarë dhe u dërguan në Bari dhe në cdo kohë e survejonin natën sepse do të bëhej mbrojtësi i shenjtë i qytetit.

Në versione të tjera, Nikola i shpërndante ëmbëlsira të gjitha familjeve dhe ata e lënë dritaren hapur sepse San Nikola vjen dhe ikën nëpërmjet dritares. Në kohët e sotme San Nikola njihet si Babai i Krishtlindjeve dhe për një periudhë kohe në vendin tonë, është njohur si Babagjyshi i Vitit të Ri, ashtu njihet dhe sot.

Krishtlindja, festa për nder të lindjes së Krishtit, eshte nje nga festat me te dashura dhe kryesore te kristianizmit. Krishtlindja është festa që kremtohet nga e gjithë bota e krishterë për nder të lindjes së Jezu Krishtit. Dita e lindjes së Jezu Krishtit është dhe dita e parë e dymbëdhjetëditëshit të festimeve, që nga data 25 dhjetor deri në 6 janar, kur dhe eshte festa e Theofanise.  Si simbole të këtyre festave njihet prezepeja (simbolikisht stalla ku lindi Jezu Krishti) dhe pema e vitit të Ri, e cila zbukurohet me sende dhe dhurata nga më të ndryshmet.

Pema e Krishtlindjeve 

Pema e Krishtlindjeve është një traditë që vjen nga kohët pagane, e mbërritur në epokën antike dhe mesjetare e në vazhdim, u asimilua edhe nga krishtërimi. Mes referimeve historike, një shkrim të vitit 1570 tregon se pema dekorohej me mollë, arra dhe me lule prej letre. Qyteti i Rigas është mes atyre qyteteve, që cilësohet si një nga selitë e para të pemës së Krishtlindjes në histori.  Para kësaj shfaqjeje “zyrtare” të pemës gjendet edhe një lojë fetare mesjetare, e cila kremtohej në Gjermani më 24 dhjetor; ajo quhej “loja e Adamit dhe Evës”. Sheshet dhe kishat mbusheshin plot me pemë frutore, si simbole të begatisë, për të rikrijuar imazhin e parajsës ne te kohe. Më pas, këto pemë frutore u zëvendësuan me bredhin, pasi ka një domethënie më magjike për popullin. Bredhi ka mbi të gjitha dhuntinë e të qenit përherë i gjelbër, dhunti që, sipas traditës, i jepet pikërisht nga Jezusi, si falënderim që kjo pemë e mbrojti, kur ndiqej nga armiqtë. Ndërsa përdorimi i qirinjve në rrënjët e bredhit nisi në shek. XVIII-të. Për shumë kohë, tradita e përdorimit të bredhit mbeti tipike për krahinat veriore mbi lumin Ren. Katolikët e konsideronin si një traditë protestante. Ishin zyrtarët prusianë, që pas Kongresit të Vjenës, e përhapën këtë traditë në vitet pasardhëse.  Në Vjenë, pema e Krishtlindjes u shfaq në vitin 1816, me kërkesë të princeshës Henrietta von Nassau-Weilburg, dhe në Francë më 1840, nga dukesha e Orleans-it. Në fillim të viteve 1900 pema e Krishtlindjes njohu një sukses më të madh, duke  hyrë gradualisht në të gjitha shtëpitë, si dhe duke u kthyer në simbolin më të përhapur në nivel planetar.