Mbi 1.3 miliardë besimtarë katolikë në të gjithë botën, kremtojnë sot Pashkën, që do të thotë “Kalim” nga vdekja trupore dhe frymore, në Jetën e Amëshuar.

Besimtarët katolikë iu drejtuan të shtunën në mbrëmje kishave në të gjithë Shqipërinë për të bekuar shportën me ushqimet e festës së Pashkës, ndërsa në Durrës kjo festë i mblodhi besimtarët katolikë në kishën e Shën Domenikut.

Mesha e Shenjtë u mbajt nga at Bernard Caruana, famulltari i kishës, i cili më herët gjatë një prononcimi për “DurrësLajm” përcolli mesazhin e tij për besimtarët katolikë. Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, por edhe pasojat e pandemisë Covid-19, at Bernardi vuri theksin në rëndësinë që ka forca që duhet të gjejmë në vetvete për të përballuar zhgënjimet dhe për të rifituar paqen e brendshme.

Po çfarë janë Pashkët?
Pashkët shënojnë ngjarjen më të rëndësishme të krishterimit, ringjallja, e cila përcjell për të gjithë botën mbarë, simbolikën e ngadhënjimit mbi të keqen. Kujtimi i ringjalljes së Krishtit është një mënyrë për të ripërtëritur shpresë e përditshme të fitores mbi mëkatin.

Pashkët, të cilat festohen të dielën pas hënës së plotë të ekuinoksit pranveror, kanë ndikim të veçantë te besimtaret e krishterë jo vetëm shpirtëror, por dhe fizik, teksa shënojnë dhe finalizimin e agjërimit të kreshmeve.

Simboli i Pashkëve është veza, si simbol i jetës, e cila e lyer me ngjyrën e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit. Jeta e re, e cila nis me ditën e Pashkëve për çdo familje krishtere, lë pas mëritë, nxit faljen, dashurinë dhe ndihmën ndaj të afërmve në vështirësi, të sëmurëve dhe të varfërve, duke i kujtuar njeriut rolin e vet sipas urdhëresave të Zotit.