Një incident është regjistruar këtë pasdite në lagjen nr. 4, pranë zonës së Stacionit të Trenit në Durrës, ku një pjesë suvaje është shkëputur nga fasada e një pallati dhe ka rënë në rrugë.

Si pasojë, është dëmtuar një automjet që ndodhej i parkuar pranë godinës, ndërsa më pas mjeti është larguar nga vendi i ngjarjes.

Në zonë kanë mbërritur punonjës të zjarrfikëses dhe efektivë të policisë, të cilët kanë rrethuar perimetrin për të shmangur rrezikun për qytetarët dhe automjetet që kalojnë aty pranë.

Autoritetet pritet të kryejnë verifikimet për gjendjen e fasadës së pallatit, me qëllim parandalimin e rasteve të tjera të ngjashme.

Sipas informacioneve paraprake, shkak i rënies së suvasë dyshohet të ketë qenë amortizimi i fasadës, sidomos në katin e fundit të godinës.

Në Durrës, shumë godina të vjetra paraqesin rrezik për incidente të tilla, pasi një pjesë e tyre janë të pabanueshme dhe prej vitesh kanë probleme të shumta në fasada.